Fillesat e firmave të vogla datojnë në 1992, por mandej 1993 dhe 1994 vulosi zhvillimin dhe rritjen e tyre në të gjithë vendin.
“Në 1992 ishin të parat. Pa licencë, pa ndonjë plan biznesi, por grumbullonin , ishte historia e mirëfilltë e skemave piramidale që nuk është e vetme për Shqipërinë, por shtrirja, përmasat, në krahasim me vlerën e PBB-së ishte unikal në të gjithë rajonin dhe në të gjitha vendet ku ka ndodhur fenomeni. Jo vetëm që u shtri në të gjithë territorin e vendit, por edhe krijoi luftën konkurrente mes shoqërive përmes interesave abuzuese që nuk ishin reale” u shpreh Farudin Arapi, Kreu i Kom. të administrimit të fajdeve (1997-2005).
“Firmat piramidale erdhën si një nevojë e domosdoshme duke parë etjen e shqiptarëve për të fituar para në mënyrë të pamerituar. Ekspertët e mirëfilltë keqbërës e kapën këtë dëshirë të qytetarëve dhe atyre që nuk u pëlqente puna dhe nisën të mblidhnin kursimet e tyre dhe të fëmijëve të tyre që t’ia mundësonin për një periudhë 5-6 vjeçare” u shpreh Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë
Por në të njëjtën kohë skemat piramidale iu mbivendosën edhe një konteksti të një klime politike tejet të rënduar, kur qeverisja nisi të bëhej më agresive dhe arritën kulmin e tyre në fund të vitit 1996, në një vit zgjedhor shumë të shqetësuar.
“Shteti që ishte rregullator duhej të merrte rolin e rregullatorit. Por ndodhi e kundërta që shteti i quajti normale. Në vend që shteti të fuqizonte sistemin bankar stimuloi këto kërpudha që vodhën shqiptarët. Ishte vetëm kapital tregtar, jo prodhues, që i çoi shqiptarët drejt asaj rruge dhe nga ana tjetër qeveria i pranoi” u shpreh sipërmarrësi, Luan Bregasi.
“U krijuan në kushte politike shumë të vështira. Ishin vitet kur pas 2-3 viteve stabël pas përmbysjes së komunizmit, erdhi në pushtet Partia Demokratike, një situatë politike që sa vinte dhe acarohej edhe më shumë.
Kjo për disa faktorë, mbi të gjitha keqqeverisja. Në atë kohë ndodhën edhe disa përplasje të mëdha politike, pasi kryetari i opozitës Fatos Nano u burgos për motive politike nga qeverisja e atëhershme. Reformat që sapo kishin filluar, po kishin rezultat në pikëpamjen e stabilitetit makroekonomik. Ishin një hap në ekonominë e tregut, por lanë një plagë të rëndë.Papunësia u shndërrua në fenomen masiv, varfëria e pasoi dhe këto rrethana nxitën dhe lulëzuan firmat piramidale. Dhe pastaj kapitulloi, u dorëzua fenomeni famëkeq i skemave piramidale”, u shpreh Anastas Angjeli, Ish Ministër Financash.
Top Channel