Tiranë, vaksinohen edhe sirianët/ Të moshuarit po marrin dozën e tretë pas njoftimit për t’u rivaksinuar

03/11/2021 20:06

Me të dëgjuar lajmin për nisjen e vaksinimit, me dozën e tretë, për personat mbi 60 vjeç, ata i janë drejtuar qendrave të vaksinimit.

“E dëgjova ne televizor, te Topi, lajmin dhe erdha të bëj dozën e tretë. Mjekja këtu më tha, se duhet të kenë kaluar 6 muaj nga doza e dytë, që të vazhdohet me të tretën. Dy të parat i bëra Sinovax, të tretën do ta bëj Pfizer, se e kemi më të lehtë të shkojmë në Gjermani tek fëmijët. Jemi vaksinuar ne dhe fëmijët, nipërit e mbesat i kemi të vegjël. Nuk e kuptojmë pse ngurrojnë studentët. Ne presim që të mësojmë nga ata dhe jo të shikojmë këtë qëndrim”, u shprehën qytetarët.

Në qendrën e vaksinimit në “Sheshin Skënderbej”, takuam dy siriane Halan, dhe të bijën Tamar.

“Jam nga Siria dhe rezidente në Tiranë. Unë vet kam bërë një dozë të Astra Zenecës, ndërsa sot kam ardhur për vajzën time 13 vjeçare. Ajo do të bëjë Pfizer. Ne erdhëm në Shqipëri në 2019-tën. Unë jam inxhiniere elektronike. Punoj në një kompani kompjuterash këtu. Na pëlqen shumë Shqipëria, e mrekullueshme, dhe e falënderoj vendin tuaj që bëri të mundur vaksinimin për ne. Fëmijët e mi këtu, janë të lumtur”.

“Nuk e di si do shkojë. Kam pak frikë. E bëj se shkoj në shkollë dhe dua të jem e mbrojtur”.

Pasi nënshkroi dokumentat për vajzën, Tamar e kreu vaksinën.

“Shkoi mirë. Nuk më dhembi fare”.

Top Channel