Po krijohen mënyra të reja për të prodhuar ushqim – por a do të pëlqehen ato nga konsumatorët? Konsumatorët dhe qeveritë duhet të pranojnë mënyra të reja për të bërë ushqim, shkruan The Economist

“Çfarë ka sot për darkë?” Përgjigjja e kësaj pyetjeje ka rëndësi, në çdo nivel. Ushqimi lidh personalitetin e një njeriu me planetin. Bujqësia përdor gjysmën e tokës së banueshme në botë dhe përbën më shumë se 30% të emetimeve globale.

Prodhimi i ushqimit lidh ciklet e mëdha biogjeokimike të karbonit dhe azotit, si në nivel planetar, ashtu edhe në fabrika të veçanta që kombinojnë gazin natyror me azotin dhe oksigjenin nga ajri, për të prodhuar pleh bujqësor nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, dioksid karboni për përdorim në përpunimin e ushqimit.

Kur kohët e fundit, një fabrikë e tillë në Teesside, në Anglinë Veriore, rrezikoi të mbyllej për shkak të çmimeve të larta të gazit natyror, qeverisë iu desh të ndërhynte për të parandaluar shkatërrimin e zinxhirëve të furnizimit me ushqim.

Globalisht, çmimet e ushqimit janë rritur 13 deri në 15 muajt e fundit dhe po i afrohen nivelit të kulmit të vitit 2011, për shkak të motit të keq, ndërprerjeve nga pandemia dhe pasojave nga shpërthimi i gripit të derrit në Kinë, në vitin 2018. Në një periudhë më afatgjatë, sistemi ushqimor po përballet me presion nga ndryshimet klimatike, rritjen e popullsisë dhe prirjen drejt dietave perëndimore, që konsumojnë sasi të mëdha mishi.

Për fat të mirë, po shfaqen teknologji të reja që premtojnë të prodhojnë ushqim në mënyra të reja, në vëllime të mëdha dhe në kushte fabrikimi më pak çnjerëzore, si dhe me një gjurmë më të ulët mjedisore. Këto përfshijnë një sërë mjetesh, nga bioreaktorët që rrisin mishin, deri te fermat e brendshme “vertikale” dhe mënyra të reja për prodhimin e peshkut.

Teknika të tilla mund të bëjnë një ndryshim të madh. Për shembull, tre të katërtat e tokës bujqësore përdoret për blegtori, kështu që është e lehtë të shihet se si për shembull, biftekët e prodhuar nga proteina me bazë bimore, mund të zvogëlojnë shumë bujqësinë e fabrikave dhe përdorimin e tokës dhe ujit, si dhe të lëshojnë më pak emetime.

Megjithatë, fakti që është e mundur të prodhohet ushqim në mënyra të reja, nuk do të thotë se njerëzit do të jenë të gatshëm ta hanë atë. Duke pasur parasysh rëndësinë thelbësore të ushqimit dhe faktin që ai hyn drejt e në trupin e njeriut, reagimet skeptike dhe kundërshtare ndaj ushqimeve dhe proceseve të reja të prodhimit, do të jenë të zakonshme.

Për shembull, në Europën e shekullit XVII, shumë njerëz nuk e shihnin me sy të mirë një perime të re të quajtur patate, sepse ajo nuk përmendej në Bibël, dhe të tjerë kishin frikë se ajo shkaktonte sëmundjen e leprozës.

Sot, shumë vende europiane e ndalojnë kultivimin dhe shitjen e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht, edhe pse gjetiu ato konsumohen rregullisht. Dhe megjithëse pjesa më e madhe e botës i konsideron insektet një ushqim të shijshëm (dhe ngrënia e karkalecave është miratuar nga Bibla), thjesht ideja e ngrënies së tyre, është e neveritshme për shumë konsumatorë perëndimorë.

Në të njëjtën kohë, kur ushqimet e reja shmangen, ushqimet tradicionale dhe kultura bujqësore tradicionale vlerësohen shumë më tepër. Në Kaliforni, restorantet më të shtrenjta aspirojnë të rikrijojnë dietën e thjeshtë të fshatrave toskanë. Shumë konsumatorë perëndimorë janë të gatshëm të paguajnë shuma të larta për ushqime të prodhuara nga bujqësia organike, sepse shmangen “kimikatet”. (Në fakt, gjithçka përbëhet nga kimikate.)

Megjithatë, këto tradita “të përjetshme” ushqimore në fakt shpesh janë më të cekëta se sa duken. Në “shkëmbimin kolumbian” në shekullin XVI, prodhimet ushqimore nga Amerika u përhapën me shpejtësi në të gjithë botën. Domatet dhe polenta, elementet kryesore të dietës italiane, janë me origjinë amerikane dhe nuk njiheshin nga romakët, ose nga Dante.

Patatet më pas u pranuan gjerësisht në Europë (këtu ndihmoi gatimi i patateve të skuqura). Është e vështirë të imagjinohet kuzhina aziatike pa speca djegës, por edhe ato janë amerikanë. Kafeja që ka ardhur nga Arabia dhe çaji nga Kina, nuk njiheshin në Europë para shekullit XVII.

Ushqimet dhe proceset e reja që ofrohen sot, paraqesin mundësi për të krijuar tradita të reja të shijshme dhe të qëndrueshme. Konsumatorët perëndimorë duhet t’i lënë mënjanë rezervat për ngrënien e insekteve, dhe të provojnë hamburger me bazë bimore, biftekë të printuar në 3D dhe ton artificial të rritur në kazan.

Rregullatorët, veçanërisht në Europë dhe Amerikë, duhet t’i thjeshtojnë proceset për miratimin e mishit të kultivuar, të jenë më të hapur ndaj ushqimeve gjenetikisht të modifikuara (siç tha Britania se do të bënte këtë javë) dhe të përshpejtojnë miratimin e insekteve të ngrënshme për ushqimin e kafshëve dhe për t’u konsumuar nga njerëzit.

Duhet ripërfytyruar tërësisht sistemi ushqimor. Por kjo do të jetë e mundur vetëm nëse konsumatorët dhe rregullatorët janë të përgatitur të jenë më të guximshëm në larminë e ushqimeve që hanë për darkë./Burimi:Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA