Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka prezantuar para Komisionit të Politikës së Jashtme projekt buxhetin për vitin 2022 të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ministrja Xhaçka theksoi se projektbuxheti i MEPJ shënon një rritje të konsiderueshme prej 17%, krahasuar me atë të vitit 2021.
Sipas saj, kjo do të mundësojë plotësimin e kapaciteteve njerëzore për përballimin me sukses të anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit të OKB.
“Projekt-buxheti i vitit 2022 ka si synim të tij madhor përmbushjen e objektivave të Programit të Qeverisë, të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe të Planin Kombëtar të Integrimit Evropian. Objektiv parësor është nisja e negociatave për anëtarësimin në BE. Projekt buxheti për vitin 2022, do të na lejojë të realizojmë prioritete të rëndësishme si: zhvillimi i Konferencës së parë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE apo zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së etj.
Mandati në Këshillin e Sigurimit, përfaqëson një sfidë madhore por edhe një mundësi të shkëlqyer. Me rëndësi të pandryshuar mbetet për ne objektivi i forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit”, u shpreh kryediplomatja shqiptare gjatë fjalës së saj.
Ministrja Xhaçka deklaroi se duke filluar nga viti 2022, agjenda për diasporën do të përfshihet në fushën e veprimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Si rrjedhojë, në strukturën e përgjithshme të MEPJ do të shtohen strukturat e posaçme, që janë marrë me hartimin dhe zbatimin e politikave në fushën e diasporës.
Top Channel