
Biznesmeni Elton Ilirjani ka reaguar ashpër ndaj gazetarit Saimir Kodra duke i bërë thirrje të gjithë aktivistëve të komunitetit LGBT në Shqipëri që të bojkotojnë çdo show apo bisedë derisa të kërkohet falje.
Ilirjani, i nxitur nga thirrja e gazetarit për “cunat” që të marrin armët për të pastruar qytetin, bëri një reagim në Instagram duke thënë:
“Në një televizion kombëtar shqiptar po bëhet thirrje që të marrin armët dhe të qëllojnë e të pastrojnë qytetin e Tiranës nga njerëzit e komunitetit LGBT.
Unë i bëj thirrje dhe i lutem të gjithë aktivistëve të komunitetit LGBT në Shqipëri: Bojkotoni çdo show apo bisedë në atë kanal televiziv përgjithmonë derisa të kërkojnë falje! Bojkotoni median shqiptare nëse bëjnë thirrje për vrasje dhe urrejtje. Ne nuk kemi nevojë të jemi në platformat e tyre kriminale!”
Ndër të tjera, Ilirjani tha se ka marrë vendimin që të mos vijë më kurrë në Shqipëri pasi e konsideron si vend të rrezikshëm për personat LGBT.
“Po mendoja këto ditë ta bëja këtë status: Unë kam vendosur përfundimisht të mos shkel më kurrë në territorin e Republikës së Shqipërisë! Shqipëria është vend i rrezikshëm për personat LGBT! Aq më tepër nga thirrjet e fundit fashiste të thëna nga gojët e pastor-imam-gazetar-gjobëvënës mediatikë!”, shkroi Ilirjani.
Teksa trajtonte rastin e ngacmimit seksual në rrugë, Kodra tha, “I bëj një thirrje shumë qytetare, këtyre çunave që herë pas here dhe rrihen a vriten me njëri tjetrin. Nuk mundemi dot vetëm një javë të vetme ta kemi javën për të pastruar Tironën? Edhe, dilni si sportista me biçikleta a me patina knej nga këto rrugët, dilni dhe sistemoni edhe kthehuni prap në jetën tuaj rutinë”. Ndërsa kolegu i tij vijoi duke thënë: “Është shumë vështirë me i dhën biçikletës me pistoletë në brez”.
Top Channel