Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar sot takim virtual me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, prirë nga Gabriel Di Bella, shef i Misionit për Kosovë.
Kurti tha se performanca e mirë e ekonomisë kosovare me një rritje mesatare prej 10.4% në pjesën e parë 2021 është sinjal pozitiv për zhvillimin e vendit.
“Kjo performancë ka ndikuar edhe në të hyra buxhetore, të cilat na kanë mundësuar zbatimin e pikave të programit qeverisës më herët se që kishim planifikuar, gjë që mund të vërehet edhe me buxhetin e vitit 2022, që u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë”, tha Kurti.
Ndërsa, Di Bella përgëzoi Qeverinë e Kosovës për suksesin në vaksinimin e popullatës dhe mbi performancën e mirë ekonomike dhe buxhetore.
Në takim u diskutua edhe në lidhje me masat e suksesshme për formalizimin e ekonomisë të ndërmarra nga Qeveria, e që kanë rezultuar me më shumë të hyra buxhetore.
Po ashtu, u diskutua edhe për inflacionin, që është fenomen i shfaqur muajve të fundit në nivel global dhe masat që Qeveria e Kosovës dhe qeveri të ndryshme nëpër botë po ndërmarrin që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, në raportin e Bankës Botërore “Konkurrenca dhe Rimëkëmbje pas pandemisë COVID-19” thuhet se aktiviteti ekonomik në Kosovë në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind kundrejt një rikthimi të vizitave nga diaspora, masave mbështetëse fiskale dhe rritjes së huadhënies.
Sipas raporteve vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës në vitin 2019 kishte shënuar rritje reale prej 3.9 për qind. Për vitin 2020, kjo rritje ishte parashikuar të ishte 4.2 për qind, por si pasojë e pandemisë dhe masave kufizuese, ekonomia e Kosovës, sipas Bankës Botërore ka pasur rënie deri në -5.3 për qind.
Top Channel