Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka miratuar dhënien e vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.

Përmes një komunikate për media, Ministria ka bërë të ditur se vaksinimi i kësaj grup-moshe do të bëhet në gjitha qendrat e Kosovës vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor dhe se nuk ka nevojë për caktim të terminit paraprakisht.

“Përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të papërfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Në një hulumtim të kryer së fundmi në Izrael, vaksina kundër koronavirusit e kompanisë Pfizer/BioNTech ka dalë të jetë shumë efektive në parandalimin e infektimit dhe simptomave të rënda nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian tashmë kanë miratuar dhënien e vaksinës Pfizer për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.

Nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Serbia po ashtu janë duke vaksinuar fëmijët e kësaj grup-moshe.
Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 160.000 raste të infektimit me koronavirus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA