Antonio Conte është trajneri i ri i Tottenham dhe më në fund konfirmimi nga klubi londinez ka ardhur, teksa Spurs kanë lidhur një kontratë dyvjeçare me italianin, me opsionin edhe për një tjetër vit ekstra në rast se gjithçka shkon sipas planit.
Për Conten fillon kështu një aventurë e dytë në Londër, pas asaj me Chelsea-n, nga 2016 deri në 2018-ën. Italiani foli edhe fjalët e tij të para si trajner i Tottenham duke u shprehur:
“Klubi ka struktura të avangardës dhe një prej stadiumeve më të mirë në botë. Pres me padurim për të filluar punën dhe t’i transmetoj skuadrës dhe tifozëve pasionin, mentalitetin dhe vendosmërinë që më kanë dalluar gjithmonë, si lojtar dhe si trajner. Verën e kaluar ky bashkim nuk u realizua pasi fundi i raportit tim me Inter sapo kishte ndodhur dhe gjykova se nuk ishte ende momenti i duhur për tu rikthyer në drejtim të një skuadre, por entuziazmi dhe vendosmëria e Presidentit Daniel Levy që donte më të besonte këtë detyrë më kishte impresionuar. Tani që kjo mundësi u rikthye kam zgjedhur ta marr plotësisht i bindur”, deklaroi Conte.
Top Channel