Partia Demokratike ka braktisur mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ndërsa po diskutohej zgjatja e afatit të Vettingut.
PD kërkoi shtyrjen e mbledhjes, por nuk u pranua dhe braktisi Këshillin e Legjislacionit. E vetmja që nuk iku nga salla, ishte deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho.
Demokrati Alfred Rushaj tha se mbledhja duhet të shtyhet pasi kjo çështje duhet të diskutohet së bashku me propozimin e demokratëve për ndryshime kushtetuese.
“Më datë 15 tetor është depozituar një nismë nga PS për ndryshimin e Kushtetutës .Më datë 20 është depozituar gjithashtu nga ne projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8417, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar. Të dyja këto nisma, flasim për shtesa dhe ndryshime në të njëjtin ligj, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Të dyja këto nisma janë lajmëruar njësoj, në të njëjtën seancë, më datë 25.10.2021 nga ju përpara të gjithë deputetëve të Republikës së Shqipërisë. Ne e shohim që keni respektuar afatin minimal që ka vendosur rregullorja e Kuvendit, sapo janë mbushur 2 javë, keni njoftuar mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit për të shqyrtuar nismën e deputetëve të shumicës, nëse po ky standard do të respektohet nga ana juaj, pasnesër me datë 3 nentor plotësohet i njëjti afat minimal për shqyrtimin e nismës së paraqitur nga opozita.
Duke qenë se ligji që ndryshohet, është Kushtetuta, do të duhet të caktojmë relatorët dhe ekspertët për të dy nismat, duke qenë se këto nisma mund apo kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën, ne sensin që mund të kenë ndikime dispozitat tek njëra-tjetra, dhe duke qenë se në kalendarin tre javor janë parashikuar në një pikë, ajo çfarë ne propozojmë është, të shtyhet kjo mbledhje dhe duke prezumuar i njëjti standard, për njoftimin e nismës në këtë mbledhje të përbashkët, do të ruhet edhe për propozimin e pakicës, pra të opozitës, të bëhet kjo mbledhje e përbashkët më datë 3 nentor, ku të caktohen relatorët e të dyja palëve për të dy nismat dhe kështu të vijojë në mënyrë të harmonizuar shqyrtimi nëpër komisione”, tha Rushaj.
“Ti japim nismave rëndësinë që meritojnë dhe të ndara si dy procese të kuvendit. Propozoj të vijojmë me rendin e ditës”, tha Nikolla pasi opozita la sallën.
“Sot jemi mbledhur në respekt të rregullores. Do të ndiqet në respekt të rregullores, procedura dhe për iniciativën tjetër. Mendoj që të hedhim në votë propozimin për të vijuar rendin e ditës“, tha Nikolla.
“Nuk është prioritare kur do marrin rrogën 14 vetë, nëse nuk pranoni as kaq, do të thotë se nuk doni fare opozitën në tavolinë”, tha Rushaj.
“Fakti që jeni refraktar ndaj kësaj tryezë s do të thotë se nuk ju duam në tavolinë, komente të tilla s ju shkojnë për shtat. Le ta hedhim në votim”, tha Nikolla.
Edhe pas largimit të opozitës, Këshilli ka vijuar punën normalisht.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla në fjalën e tij tha se kjo nismë duhet të ecë përpara sipas procedurës.
“Do ketë bashkëpunim me delegacionin evropian dhe ambasadën amerikane. Duke mos parë llogoret tona politike, duke mos bërë llogari por vetëm duke u fokusuar. Pritëm në këtë session që opozita të ishte e pranishme, mbështesim propozimin tonë të 39 deputetëve që kjo nismë të ecë përpara sipas procedurës. U kërkoj deputetëve që kjo nismë të eci përpara në procedurën e përcaktuar nga rregullorja e Kuvendit”, tha Balla.
Kalendari i punimeve për Komisionin e Vettingut u miratua me asnjë votë kundër. Relatore nga maxhoranca është propozuar të zgjidhet Klotilda Bushka.
Top Channel