Kosova ka regjistruar edhe një rast të vdekjes nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë të dielën më 31 tetor.
Që nga muaji mars i vitit 2020 nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur 2.977 persona. Shifra bazohet në të dhënat zyrtare.
Në njoftim gjithashtu thuhet se janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19, bazuar në 2.138 mostra të testuara. Nga sëmundja COVID-19 janë shëruar edhe 20 pacientë ndërsa raste aktive janë 439.
Të dielën Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njoftoi se në spitale dhe klinika po trajtohen 64 pacientë me COVID-19, prej të cilëve 12 janë shtetas të Shqipërisë të cilët po trajtohen në spitalin e Gjakovës.
“Nga 64 pacientët, 33 po trajtohen me oksigjeno-terapi dhe 4 në mjekim intensiv, në gjendje të rënduar shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Vaksinimi kundër koronavirusit në Kosovë ka filluar në mars të këtij viti ndërsa deri të shtunën janë vaksinuar me dozën e dytë mbi 720.000 qytetarë.
Gjithsej janë administruar mbi 1.5 milion vaksina.
Top Channel