Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar i përsëriti së fundi Serbisë se dialogu me Kosovën duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Ideja së cilës ai i mëshoi fort, ishte se Shtetet e Bashkuara mbështesin një dialog ku të dyja palët të jenë të barabarta.
“Së bashku e kemi bërë të qartë se dialogu është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”, ka qenë komenti i tij.
Profesor Enver Bytyçi sqaron se Escobar ka paralajmëruar disa gjëra, fillimisht që palët të jenë të barabarta në dialog pasi nuk është trajtuar si i tillë dhe kjo do të thotë se “pavarësia e Kosovës nuk mund të diskutohet e as territori i saj nuk preket”.
“Ndihmës-sekretari i Shtetit Amerikan, njëkohësisht i ngarkuari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, këto ditë ka përsëritur paralajmërimet e Presidentit Biden për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE!
Ai paralajmëron dhe kërkon që: Palët në dialog të jenë të barabarta, çka dëshmon se në të shkuarën ka pasur pabarazi në trajtimin e tyre e ndoshta kjo kërkesë i drejtohet edhe përfaqësuesve të BE-së, të cilët jo rrallë herë i mbajnë anën Aleksander Vuçiçit.
Por kryesore është se me kërkesën për barazi, Kosova zë vend si shtet i pavarur përballë shtetit të Serbisë. Barazia në bisedime nënkupton se statusi i Kosovës nuk mund të vihet në diskutim. Pavarësia nuk mund të diskutohet. Dhe kjo do të thotë se territori i Kosovës është i pacenueshëm“, është shprehur ai.
Top Channel