Kosova përgatitet, fuqizon forcat e armatosura: 100 mln euro për ushtrinë

30/10/2021 15:09

Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro dhe prej tyre, 100 milionë euro do t`i shkojnë ushtrisë.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se kjo është hera e parë që ndahet një shumë për ushtrinë.

“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, ndaj për herë të parë kemi ndarë një buxhet prej 100 milionë euro apo 1.3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto e synimi ynë është që këtë ta çojmë në 2 për qind të GDP-së”, tha Kurti.

Kosova do të rrisë numrin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me 840 rekrutë të rinj. FSK numëron afërsisht 2.500 anëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e FSK-së. Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej dhjetë vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

Me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA