Vdekja e rusëve do të rindërtohet/ Prova për të zbuluar se çfarë i vrau katër turistët në Qerret

28/10/2021 19:51

Grupi i hetimit ka propozuar të kryejë eksperiment hetimor në pishinën e hotelit në Qerret, pranë të cilës u gjetën të pajetë katër rusët Sergei, Natalia, Ekatrina dhe Nikita.

Në këtë eksperiment  është kërkuar prania e ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik dhe të mjekësisë ligjore dhe sipas sugjerimit të prokurorisë do tentohet të krijohen të njëjtat kushte bazuar në dëshminë e punëtorit të pishinës Ndriçim Halilaga që ka rrëfyer se ka tretur vetëm një gotë klor pluhur në 60 ton ujë.

Më tej, bazuar në dëshminë e administratores, grupi i hetimit do të kërkojë ngrohjen e pishinës më të njëjtën procedure dhe protokoll të ndjekur dhe më herët. Qëllimi i hetuesve është që të llogarisë në prani të ekspertëve avujt e klorit në ambientin e brendshëm që nuk u morën mbrëmjen e të premtes tragjike, kur 4 turistet pasi u kthyen nga Ohri zbritën në katin e nëndheshëm mbasi kishin kryer rezervimin me telefon.

Paqartësia e hetuesve lidhet me dyshimet nëse në kushte të tilla mund të kthehen apo jo avujt e klorit aq të rrezikshëm sa të bëhen vdekjeprurës.

Sakaq mjekësia ligjore ka përjashtuar dyshimet se rusët mund të kishin përdorur lëndë psikotrope, ndërkohë që as ISHP, as AKU dhe as ISUV nuk kanë marrë përsipër kryerjen e ekspertizës në mostrat e ujit dhe të ushqimeve.

 

 

Top Channel