“Kemi nevojë për reformë të re zgjedhore”/ Celibashi: ODIHR ka sugjeruar ndryshime në kodin zgjedhor

28/10/2021 17:07

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi këtë të enjte deklaroi se Shqipëria ka nevojë për një reformë të re zgjedhore, pasi edhe ODIHR ka sugjeruar ndryshime në kodin zgjedhor.

Në një deklaratë për mediat nga qyteti i Korçës, Celibashi tha se është e rëndësishme që ky proces të fillojë tani, duke u shprehur se edhe shumica qeverisëse e ka mbështetur iniciativën e marrë nga opozita.

Ai tha të shpresojmë që ku proces të finalizohet sa më shpejt, për të mos qenë në pozitën e herëve të tjera, kur reformat zgjedhore përfundonin 4, 5 ose 6 muaj apo qoftë edhe një vit para zgjedhjeve.

Këtë herë ka nevojë për të kryer një reformë zgjedhore sepse edhe ODIHR sugjeron ndryshime në kodin zgjedhor , por është e rëndësishme që kjo gjë të fillojë tani dhe është gjë e mirë që opozita e ka ndërmarrë këtë inisiativë  pozitive dhe që shumica qeverisëse e ka mbështetur dhe kjo është pozitive. Shpresojmë që procesi të finalizohet sa më shpejt dhe të mos jemi në pozitën e herëve të tjera kur reformat zgjedhore kanë përfunduar 4,5,6 apo qoftë edhe 1 vit para zgjedhjeve“, tha Celibashi.

Për sa i përket padisë ndaj komisionerëve që kanë tjetërsuar votën Celibashi deklaroi se KQZ është në proces vlerësimi akoma të asaj se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit. Ai tha se në të këtij procesi, në rastet kur do të identifikohen qartazi shkelje të rënda të rregullave të procesit për numërimin e fletëve të votimit, normalisht që do të ketë sanksione të karakterit administrativ, por edhe kallëzime penale kur këto shkelje tregojnë dukshëm deformimin e rezultatit të numërimit.

Kurse për reformën territoriale, Celibashi tha se një diskutim i tillë u përket partive politike dhe jo KQZ-së.

Reforma Territoriale si diskutim iu përket partive politike KQZ nuk ka dhe nuk mund të ketë zë në këtë proces ka mendime të ndryshme në lidhje me organizimin e hartës administrative dhe si ajo duhet të jetë por le t’ia lëmë partive dhe qeverisë diskutimin për këtë çështje, sikurse thashë meqënëse kjo lidhet edhe me Reformën Zgjedhore sa më shpejt të mbyllet ky proces është më mirë, pasi ka ndikim, jo të drejtpërdrejtë por ka ndikim në Reformën Zgjedhore“, tha ai.

Kujtojmë se Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për t’u ngritur një Komision i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, me arsyetimin që Komisioni duhet të zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të kuadrit  ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe zgjedhjeve të mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse”, thuhet në kërkesën e PD-së.

Top Channel