Kantieri i Aeroportit të Vlorës dhe Rruga e Arbrit hapen më 28-29 nëntor

28/10/2021 17:20

Kantieri i Aeroportit të Vlorës do të hapet më 28 nëntor, ndërsa Rruga e Arbrit do hapet për qarkullim më 29 nëntor.

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që këto dy evente të jenë në ditë të rëndësishme për vendin, dy festa kombëtare, Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit.

Kryeministri ka informuar më parë se do të bëhet e mundur që nëpërmjet këtij aeroporti shqiptarët të vijnë nga Amerika në Shqipëri me një linjë direkt, duke theksuar se ai do të nxjerrë në pah edhe hovin e madh ekonomik që do të sjellë ndërtimi i këtij aeroporti, vendet e punës që do të hapen, por edhe turistët e shumtë që do të vijnë.

Ndërsa Rruga e Arbrit është një ndër rrugët që pritet të bëjë realitet ëndrrën e dibranëve për të shkurtuar kohën e lëvizjes me kryeqytetin.

Kujtojmë se Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dha informacione për projektet që priten të përfundohen brenda këtij mandati, duke nisur nga portet, aeroportet dhe hekurudhat.

Balluku i dha rëndësi korridorit blu duke thënë se nuk pritet të përfundojë brenda këtij mandati, por një pjesë e tij pritet që të përfundojë. Ndërsa për sektorin hekurudhor, tha se në fund të këtij muaji nis puna për hekurudhën Tiranë-Durrës.

 

Top Channel