Drejt Tiranës me refugjatë në makinë, kapen dy të rinjtë në Gjirokastër

28/10/2021 16:46
Foto ilustruese

Dy të rinj janë arrestuar këtë të enjte në Gjirokastër, pasi po udhëtonin me tre emigrantë të paligjshëm në makinë.

Sipas policisë, ata i kishin marrë para refugjatëve për t’i çuar në Tiranë. Të dyshuarit janë 20-vjeçari me iniciale K.R. dhe 22-vjeçari me iniciale K.B. Ata do të hetohen për “dhënie ndihmë të emigrantëve të paligjshëm” nga Prokuroria e Gjirokastrës.

Njoftimi i policisë:

Nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestuan në flagrancë shtetasit K. R, 20 vjeç, banues në Tiranë dhe K. B., 22  vjeç, banues në Dibër.

Shtetasit K. R. dhe K. B., u kapën në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër,  duke transportuar me automjetin tip “Ford” tre emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celular.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel