Dyqane, restorante e shkolla janë mbyllur në Moskë në mesin e një izolimi të pjesshëm të vendosur në kryeqytetin rus në kohen kur vendi përballet me një hov të ri të Covid 19-tës.

Vetëm dyqanet thelbësore si supermarketet dhe farmacitë do të mbeten hapur, ndërsa restorantet mund të punojnë me shërbimin “merr me vete”.

Punonjësve në mbarë Rusinë i janë dhënë 9 ditë pushim në përpjekje për të reduktuar infektimet, që shënuan nivele rekord  ashtu si edhe vdekjet. Gjatë 24 orëve të fundit, vendi shënoi 1,159 jetë të humbura për shkak të koronavirusit dhe gati 41 mijë raste të reja. Me izolimin që parashikohet të zgjasë deri në 9 nëntor, shumë rusë kanë vendosur të shkojnë jashte me pushime.

BBC thotë se hotelet në Egjipt, një destinacion ky mjaft popullor për rusët, janë të zëna dhe pothuajse nuk gjen më bileta për fluturime drejt këtij vendi. Numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në Rusi arrin mbi 235,000 dhe është i katërti më i lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Indisë.

Ukraina po ashtu raportoi numër rekord infektimesh brenda një dite. Rritje të rasteve ka në të gjithë Europën Lindore dhe autoritetet kanë fajësuar për këtë shkallën e ulët të vaksinimit.

 

Top Channel