Mbi 750 shtetas afganë, të cilët ikën nga Afganistani pasi talebanët morën kontrollin e vendit në muajin gusht, ende po qëndrojnë në Kosovë.
Kosova ishte njëra nga shtetet, e cila hapi dyert për pranim të përkohshëm të shtetasve afganë, të cilët mund të qëndrojnë më së shumti deri në një vit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se që nga fundi i muajit gusht, në Kosovë kanë ardhur 1,286 persona nga Afganistani. Ndërkohë, 528 afganë janë larguar për në SHBA dhe vende të tjera aleate.
Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët afganë që erdhën në Kosovë ishin kryesisht bashkëpunëtorë të NATO-s dhe forcave të tjera aleate që prej fillimit të luftës në Afganistan në vitin 2001. Ata janë në Kosovë kryesisht me familjet e tyre.
Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku shtetasit afganë që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.
Që nga dita e mbërritjes në territorin e Kosovës, afganët ishin dhe vazhdojnë të jenë të mbyllur në dy kampe, kampin ushtarak amerikan Bondsteel dhe një kamp tjetër afër tij i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka.
Në kampin Bechtel-Enka ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan. Që të dy këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt dhe distanca mes tyre është më pak se dy kilometra.
Grupi i parë i afganëve i përbërë nga 117 persona, që u largua nga Kosova më 16 shtator ishte pikërisht nga kampi Bechtel-Enka. Ky grup udhëtoi drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Ministria Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur se kur pritet të bëhet transferimi i radhës nga kampet në Kosovë për në shtetet e tjera, raporton Telegrafi.
Në kohën kur qytetarët afganë u sollën në Kosovë, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rreth 2,000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë dhe se qëndrimi i tyre në këtë shtet nuk do të jetë afatgjatë.
“Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”, ka thënë ministri Sveçla.
Në një intervistë televizive për mediumin lokal, Kanal 10, më 26 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se bazuar në marrëveshjet me SHBA-në dhe NATO-n, afganët që janë në Kosovë do të shkojnë për qëndrim permanent në SHBA dhe shtetet e tjera aleate.
Top Channel