Të ardhurat më shumë nga konsumi/ Shtohen synimet për akcizën dhe tatimin mbi të ardhurat personale

26/10/2021 19:37

Qeveria ka parashikuar një plan ambicioz në drejtim të të ardhurave për 2022, pasi sipas projektbuxheti pret që të arkëtojë në total 537 miliardë lekë, rreth 47.5 miliardë lekë më shumë se krahasuar me aktin normative të fundit të buxhetit 2021.

Këto pritshmëri qeveria i bazon në ecurinë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë që përgjatë pjesës së parë të vitit ka shfaqur shenja rikuperimi, te miradministrimi fiskal si dhe te reduktimi i informalitetit.

Rritja më e fortë parashikohet në të ardhurat nga TVSH-ja, ku prej saj parashikohet të mblidhen 161.1 miliardë lekë, si rezultat i rimëkëmbjes ekonomike, rritjes së volumit të importeve si dhe luftës ndaj informalitetit.

Më shumë të ardhura parashikohen të mblidhen nga akciza ku pritet të arkëtohen përgjatë 2022 rreth 56.8 miliardë lekë, taksat doganore si rrjedhojë e rritjes së importeve të tatueshme, teksa edhe tatimi mbi fitimin vlerësohen po ashtu në rritje duke u mbështetur nga ringritja e ekonomisë si dhe forcimi i kontrolleve te deklaratave tatimore.

Njëkohësisht më shumë arkëtime parashikohen edhe në mbledhjen e taksave të punës, si për tatimin mbi të ardhurat personale që pritet të arrijnë në 45.2 miliardë lekë në 2022, duke marrë në konsideratë rimëkëmbjen ekonomike dhe atë të punësimit në sektorin privat, por edhe përmes inicativave në nxitjen e punësimit.

Pritshmëritë për rritjen e punëmarrësve si dhe forcimin e kontrollit për deklarimin e pagave kanë bërë që qeveria të planifikojë mbledhjen e më shumë të ardhurave edhe nga kontributet shoqërore e shëndetësore me 111 miliardë lekë për vitin e ardhshëm.

Veç faktorëve që kanë evidentuar Financat për rritjen e të ardhurave, në relacion theksohet se ndikim në rritje e tyre pritet të kenë edhe efektet e paketës fiskale 2022, çka nuk përjashton mundësinë e një drafti shoqërues të mëvonshëm me ndryshime në taksa e tatime, që mund mund të konsistojë në heqjen e përjashtimeve tatimore pasi edhe vetë qeveria e ka pranuar se nuk kanë dhënë efektet e pritshme.

 

 

 

Top Channel