Energjia elektrike është ndërprerë për disa minuta të martën paradite në Kryesinë e Kuvendit. Shkak i kësaj ndërprerje ishte rënia e një zjarri në kabinën private të kullave binjake.

Kjo ishte arsyeja përse Kuvendi i Shqipërisë mbeti pa energji elektrike për 6 minuta (10:57 – 11:03). Gjatë kësaj kohe nuk futej dot në operim as gjeneratori, sepse kishte një anomali mekanike në ndezje.

OSHEE, sqaroi se zjarri u shkaktua nga “zhvillimi i një harku të madh elektrik, pasi mungonte izolacioni i pajisjeve të këtij subjekti, që ka detyrim ligjor për të kryer mirëmbajtjen e kabinës që posedon si aset”.

Për ironi të fatit, në Komisionin e Ekonomisë, po raportonte edhe kreu i OSHEE-së, Ardian Çela dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Mbledhja vazhdoi pavarësisht mungesës energjisë në sallë, por deputeti demokrat Arbi Agalliu fotografoi ministren e Infrastrukturës, Belinda Ballukun, ndërsa kjo e fundit reagoi ashpër, duke i kërkuar që të mos e fotografojnë pasi nuk është etike.

Debati mes deputetit Agalliu dhe ministres vazhdoi më tej, derisa kryetari i Komisionit vendosi ta ndërpresë mbledhjen.

Balluku: Më fal në sekondë! Të ndalojnë fotot, se është qesharake! Jo ti nuk bën dot foto kështu sepse janë në funksion, nuk është etike. Thjesht nuk është etike se çfarë po bën. Ne sot kemi ardhur në komision për të folur për çështje konkrete dhe profesionale. Nëse ke ardhur për foto është gjë tjetër! Po çfarë frike nga foto, mos ma qaj hallin mua të frikës! Jo është turp dhe mungesë etike nga ana jote! Absolutisht që të tregoj etikë, pse kush je ti që nuk ta tregoj?!

Agalliu: Kush je ti?

Balluku: Unë jam ajo që sapo nxore në foto! Po ti për çfarë nxjerr foto?

Ndërpres mbledhjen, ndërprite mbledhjen”, tha Eduart Shalsi.

Nga ana tjetër, kreu i OSHEE-së e mori më me sportivitet, duke theksuar se kjo është diçka që mund të ndodhë.

Edhe aeroplani bie, edhe avioni bie, megjithatë shoh që mikrofoni është i ndezur, duhet parë çelësi i brendshëm”, tha Çela.

Por edhe pse dritat janë ndërprerë në te gjithë Komisionet Parlamentare, kjo nuk i ka frenuar ligjvënësit e maxhorancës dhe opozitës të debatojnë me njeri-tjetrin me drita fikur.

Deputeti Korreshi reagon ashpër: Po rruani lekët dhe na tregoni performancën

Deputeti i PD, Saimir Korreshi ka folur për situatën e OSHEE-së në qytetin e Lushnjes, duke thënë se ka punësime nga partitë politike dhe persona që kanë shërbyer për 23 vjet janë hequr nga puna.

Sipas tij, i kanë larguar me pretendimin se kanë djegur flamurin e PS. Ndër të tjera, tregoi se elektriçistët nuk kanë mjete për të rregulluar defektet dhe lëvizin me makinën e policisë.

Nuk mungoi debati me Klotilda Bushkën, e cila e cilësoi “budallik” faktin që po përmendet vazhdimisht e njëjta histori, ndërsa Korreshi iu përgjigj me tone të larta: “Po rruani lekët dhe tregoni performancën e OSHEE.”

Saimir Korreshi: Nuk pranoj për diskutim vetëm diçka sepse na u tha nga drejtori i OSHEE që është rritur në performancë. Paska vënë buzëkuq por paska 3 javë pa u larë. Tani flasim realitetin, gjendja në terren është katastrofë. Në të gjithë fshatrat e Lushnjes, një vesë shi dhe nuk kanë drita. Rrjeti është tejet i amortizuar dhe jo rrallë herë më shkruajnë njerëzit se kanë 8 ose 9 orë pa drita në Lushnje.

Së dyti, të gjithë drejtuesit, punëtorët që ka OSHEE brenda i ka punëtorë partie. Kjo më keq e zhyt. Njerëzit nga OSHEE Lushnje i kanë hequr me preteksin se kanë djegur flamurin e PS. Të gjithë sot janë 8 vjet pa punë. Njerëzit që kanë 23-24 vjet punë në OSHEE dhe kjo e ka ulur performancën. Në zyrën e OSHEE në Lushnje nuk ka elektriçist. Nuk ka makinë OSHEE për t’i çuar. Marrin makinën e policisë për të shkuar për të rregulluar defektet.

Klotilda Bushka: Kemi 2 orë e gjysmë me këtë histori.

Saimir Korreshi: Unë nuk e mbyll sepse është qytetar lushnjar. Ti nuk ndërpret fare se nuk je kryetare komisioni. Nuk më ndërpret ti fare o zonjë.

Klotilda Bushka: 2 orë e gjysmë për të dëgjuar çdo lloj budalliku.

Saimir Korreshi: Budalliqet janë tuajat. Po rruani lekët atje dhe na tregoni performancën e OSHEE. Ai qytetari atje që ka vdekur është i nderuar dhe nuk ka vuajtur as nga trutë e kokës, as nga depresioni, por nga turpi. Kjo është nga turpi për 35 mijë lekë të vjetra dhe situata është e rëndë se nuk ka vjedhur as energji elektrike, por vetëm se këta e quanin dyqan, kishin të njëjtin sahat si në shtëpi dhe dyqan dhe nuk bënin dot taksimin.

Kur bëri kalkulimin, doli 35 mijë lekë të vjetra, por a nuk është turp të rrijë një njeri në burg për kaq. Nuk mund ta pranoj se ka vuajtur nga mendtë e kokës për një qytetar shqiptar. Turp ta ketë ai që e tha se e kam pasur koleg deri më sot, kam menduar se ka qenë burrë i mirë, por se paskam njohur. OSHEE e keni për faqe të zezë. Kemi një shprehje në Lushnje: “Njëri fërshëllen andej nga Leçja dhe ikin dritat në Lushnje.”

Opozita u irritua dhe reagoi menjëherë kur tha se 10 veta janë burgosur në vendin tonë për vjedhjen apo ndërhyrjen në energji elektrike, ndërsa u përmend një person që kishte 35 mijë lekë borxh.

Duhej ndërhyrja e Klotilda Bushkës për të qetësuar situatën mes Ilir Bejtjas dhe Gazment Bardhit.

Bejtja: U tha këtu një konstatim 38 mijë qytetarë në burg, kjo vlen vetëm për Kinën zonjë. Gjithej ne kemi kallëzuar 2100 veta, mes tyre 700 punonjës tonë dhe burg 48 orë mund të kenë bërë 10 vetë dhe këto kanë qenë vjedhës, ndërhyrës të paligjshëm të energjisë elektrike.

Bardhi: Kjo është e pavërtetë.

Bejtja: Është shumë e vërtetë, keni qenë ministër drejtësie dhe mund t’i referoheni periudhës tuaj e t’i nxirrni. Të dhënat zyrtare janë këto që ju them unë.

Ndërkohë pa mikrofon dëgjohet të flasin ashpër deputetët e opozitës.

Bejtja: Për 35 mijë lekë të vjetra nuk varet njeri. Nëse mban mend që një njeri  është varur për një borxh të tillë… Nuk po tallem.

Bushka: Mos bëni rrëmujë në Komision.

Bejtjta: Zoti Bardhi unë kam vetëm një parim që të them të vërtetën sepse nuk dua a të lodhem çfarë kam thënë herën e fundit. Ai ka qenë në burg për 35 mijë lekë.

Bardhi: Tërhiqni fjalët.

Bejtjta: Nuk tërheq asgjë.

Bushka: Zoti Bejtja s’jeni duke u dëgjuar. Zoti Bardhi, nuk jeni duke u dëgjuar. E kam marrë fjalën unë. A mund të pushoni pak të gjithë ju lutem. Mbylleni pak mikrofonin zoti Bejtja, s’kemi pse e ngremë zërin, mund të komunikohemi me qetësi. Bejtja merreni fjalën dhe mbaroni përgjigjet dhe kujdes me gjuhën që përdorim në këtë komision.

Pavarësisht fjalës së Klotilda Bushkës, debati mes Ilir Bejtjas dhe Gazment Bardhit vijon duke përmendur edhe ngjarjen në Elbasan.

Bejtja: Ti ke vrarë një njeri në Elbasan dhe s’ke kërku falje akoma.

Bushka: Do e ndërpres mbledhjen.

Bardhi: Kujt ja tregon ti?

Bejtja: Ty ta tregoj mor, ty ta tregoj.

Bardhi: Ik mor hajdut.

Bushka: Ndërpritet mbledhja për 5 minuta.

FOTO GALERI
4/19

Top Channel