Në kërkim nga Interpoli në Gjermani, kapet në Morinë 56 vjeçari i akuzuar për trafikim narkotikësh

26/10/2021 11:15

Policia në pikën kufitare të Morikës kanë ndaluar dhe arrestuar një 56 vjeçar të shpallur në kërkim për trafikim narkotikësh.

U vu nën pranga shtetasi N. H., 56 vjeç, banues në Prizren, i cili rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli i Gjermanisë, pasi gjykata e rrethit Gjyqësor atje ka lëshuar urdhër arrestin ndaj tij, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

56-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Gjermanisë.

“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar: N. H., 56 vjeç, banues në Prizren.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden Gjermani, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Schwennigen Gjermani, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957”, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel