Pista e garave në Indianapolis u mbush me makina këtë fundjavë, ndërsa në horizont nuk u pa asnjë pilot.
Fituesi nuk do të jetë një shofer, por një algoritëm që e programon makinën në një shpejtësi mesatare prej 218 km/h, duke i futur kështu makinat po shoferë në një epokë të re.
Nëntë ekipe studentësh nga universitete të ndryshme morën pjesë në konkursin një milion dollarësh. Makinat nuk garojnë në pistën “Brickyard” në të njëjtën kohë, por nisen njëra pas tjetrës dhe në fund triumfon ai që realizon dy xhiro të plota në kohën më të shpejtë.
“Herën e parë e le makinën të lëvizë plotësisht vetë, duket si një fëmijë kur ecën për herë të parë ose shkon diku për herë të parë. Është sikur makina tani është e rritur dhe mund të ecë vetë. Ne e shohim çfarë po ndodh, kemi të dhëna që vijnë nga makina, por nuk mund të ndikojmë në atë që makina po bën”, thotë Alexander Wischnewski, nga Universiteti Teknik i Mynihut.
Secilit grup iu dha e njëjta makinë Dallara IL-15, e cila duket si një automjet i vogël i Formula 1, dhe e njëjta pajisje, që përfshin sensorë, kamera, GPS dhe radarë.
Diferencën nuk e bëjnë shoferët, por rreth 40.000 rreshta kodi të programuara nga çdo ekip. Softueri ndez motorin dhe një kompjuter të fuqishëm, të futur në vendin ku zakonisht ulet shoferi. Pjesëmarrësit thonë se gara do të shënohet si një moment historik në zhvillimin e automjeteve autonome.
Top Channel