Ole Gunnar Solskjaer vijon të konfirmohet në pankinën e Manchester United pavarësisht rezultateve negative, megjithatë në rast të një disfate këtë të diel në përballjen historike ndaj Liverpool, atëherë do të komplikohej rrugëtimi drejt titullit, ashtu si edhe qëndrimi i trajnerit norvegjez.

Ky i fundit e di mjaft mirë rëndësinë e përballjes në “Old Trafford” dhe njëkohësisht di edhe faktin që pas dere po pret një tjetër emër i madh i trajningut, si italiani Antonio Conte, që është i papunë dhe nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u rikthyer në Premier League.

Pasi refuzoi Newcastle-n pak ditë më parë, Conte sheh Manchester united si klubin ideal për t’u rinisur, pasi “djajtë e kuq” kanë pas vetes historinë e një klubi të madh, një grup futbollistësh nga më të mirët në qarkullim dhe mbi të gjitha financat e duhura për të kënaqur teknikun italian.

Mediat britanike janë të bindura që mes Contes dhe drejtuesve të Manchester United kanë nisur tashmë negociatat dhe pritet vetëm rrëshqitja e radhës e Ole Gunnar Solskjaer, që të ndodhë edhe ndryshimi në pankinë.

E nëse gjithçka do të konfirmohet, atëherë sigurisht që të lumtur jo pak do të jenë edhe emra si Ronaldo e Pogba, me të parin që më në fund do të mund të luajë si sulmues i dytë në një 3-5-2 dhe francezin që pikërisht me këtë skemë ka bërë më të mirën e tij kur vishte fanellën e Juventusit.

Top Channel