Manchester City nuk bën blof në fushën e Brightonit në javën e nëntë të Premier League-s, fiton 1-4 në “Amex Stadium” dhe ngjitet të paktën përkohësisht në vendin e dytë me 20 pikë, dy më shumë se Liverpooli, që do të provojë të rifitojë pozicionin pas Chelsea-t në derbin e famshëm të Anglisë përballë Manchester United në “Old Trafford”.

Një ndeshje e zgjidhur më së miri brenda pak më shumë se gjysmë ore lojë nga Citizens, që shkuan në dhomat e zhveshjes për pushimin mes pjesëve në epërsi të trefishtë. Gundogan realizoi golin që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 13, ndërsa talenti anglez, Foden realizoi dy herë brenda tri minutave lojë (28’ dhe 31’), për ta “vrarë” shumë herët sfidën.

Me fitoren në “kasafortë”, skuadra e Guardiolës lëshoi terren në fraksionin e dytë, duke i dhënë mundësi mesfushorit Mac Allister të shkurtonte në 1-3 diferencën, por që nuk e ndryshoi fatin e takimit, “të shkruar” tashmë që në pjesën e parë, pasi Citizens realizuan edhe të katërtin me Mahrez në minutën e fundit shtesë.

Top Channel