OSHEE blen energji me çmim rekord/ U shpenzuan 20 mln euro, u sigurua gjysma e energjisë që nevojitej

23/10/2021 01:22

Edhe pse çmimi i blerjes së energjisë arriti në nivelin rekord 329 euro, OSHEE përsëri ka arritur të sigurojë vetëm gjysmën e energjisë së nevojshme.

Totali i energjisë së blerë nga OSHEE është rreth 68 mijë MWh nga 117 mijë që kërkonte të siguronte në këtë ankand. OSHEE shpenzoi rreth 20 mln euro në dy ankandet e zhvilluara. Energjia e blerë do të përdoret për periudhën nga data 25 tetor deri në datën -31 tetor dhe pas kësaj date operatori pritet të dalë sërish për të blerë energji.

Së bashku me ankandin e datës 22 tetor kompania ka harxhuar rreth 127.2 mln euro për të siguruar energji gjatë këtij viti. Në këtë pikë ka tejkaluar vlerën totale të energjisë së blerë në 2020-ën me rreth 9 mln euro.

Vazhdimi i blerjes së energjisë me çmimet stratosferike mund të detyrojë OSHEE të përdorë garancinë sovrane prej 100 mln euro të vënë në dispozicion nga qeveria, ndërsa tanimë problem është edhe sigurimi i energjisë në treg pavarësisht çmimit të lartë.

Top Channel