Kosovë/ Vendos KQZ-ja, partitë politike do të kenë vetëm 5 ditë fushatë zgjedhore për raundin e dytë

22/10/2021 16:24

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 14 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë pesë ditë kohë për të zhvilluar fushatën zgjedhore.

Fushata zgjedhore do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë me 12 nëntor. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e planit operacional për organizimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që do të realizohen nga KQZ për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve. Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor. Subjektet politike dhe kandidatët do të kenë 5 ditë kohë të zhvilluar fushatën zgjedhor. Për votuesit e regjistruar suksesshëm nga jashtë Kosovës, gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës. Ky votim fillon më 29 tetor. Deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për ta bërë të mundur fillimin e votimit jashtë vendit. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 12 nëntor”, ka treguar Elezi,

Elezi ka treguar edhe se shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar punën në vlerësimin dhe verifikimin e rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur përmes postës nga 15 shtatori deri më 15 tetor.

“Shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar punën në vlerësimin dhe verifikimin e rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur përmes postës (15 shtator – 15 tetor). Brenda këtyre pakove të supozuara me fletëvotime janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Nga procesi i vlerësimit nga shërbimi votues, janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Fletëvotimet që ndodhen brenda këtyre zarfeve do të numërohen gjatë fundjavës këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, potencoi ai.

Sa i përket votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta Elezi tha se janë në fazën gati përfundimtare të verifikimit para se të bëhet numërimi i tyre por që ka mbetur që të krahasohen votuesit me kusht me qytetarët që kanë votuar në vendvotimet e rregullta, në mënyrë që ta dijmë nëse një person ka votuar dy herë: në vendvotimin me kusht, por edhe në vendvotimin e rregullt. Kjo është vepër penale.

Kurse për vëzhgim të zgjedhjeve të këtij raundi, KQZ-ja ka vendosur që subjektet politike garuese, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, misionet diplomatike dhe mediat të konfirmojnë listat me vëzhguesit që duan t’i angazhojnë sërish, si dhe të aplikojnë për vëzhgues shtesë.

Aplikimi për akreditim të vëzhguesve shtesë të subjekteve politike, OJQ-ve, vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave, fillon më 28 tetor dhe përfundon më 8 nëntor./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA