Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi një ceremoni me rastin e diplomimit të 500 studentëve të ciklit master.

Studentët patën mundësinë të marrin këshilla të vyera nga drejtuesit e universitetit dhe pedagogët e tyre, por edhe nga një prej motivuesve më të mirë në Shqipëri, presidentit të Agna Group, Vasil Naçi.

Presidenti i UET Selami Xhepa e cilësoi një ceremoni e veçantë sepse studentët takohen pas një kohe të gjatë ku mësimi u zhvillua online.

“Na mungoi prekja njerëzore dhe empatia që është esenciale në marrëdhëniet midis pedagogut dhe studentit, debatet e gjalla dhe plot pasion që janë traditë e auditoreve tona, por fatmirësisht cikli i formimit arsimor akademik, nuk u ndërpre. I kryhet studimet në një kohë të pazakontë dhe do t’iu duhet t’i zhvilloni më tej dijet tuaja në këtë realitet të ri që është krijuar.”

Presidenti i Agna Group, Vasil Naçi, ndau me të sapo diplomuarit eksperiencën e tij të suksesit. Ai i këshilloi të rinjtë të jenë optimistë, dhe të punojnë me pasion.

“Besoj se ju e keni dëgjuar këshillën gjej një punë që të pëlqen. Unë jam dakord me këtë, është një shprehje shumë e bukur. Por unë do t’iu them diçka tjetër: Çdo punë që gjeni, kthejeni në pasion. Çdo punë që duhet të bëni, bëjeni me pasion!”

Rektori i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj zgjodhi t’iu drejtohej studentëve në statusin e një kolegu, duke iu kërkuar që lidhjet me universitetin t’i kenë të përhershme.

“Ju vërtetë ndaheni nga auditorët e UET, pra, me jetën e universitetit dhe filloni sot kalimin drejt jetës së profesionit, por besoj do të ruani fort lidhjen e përhershme me institucionin ku u formuat dhe edukuat, në një fazë të caktuar të jetës tuaj.”

Administratori i UET-së, Tildi Çadri tha se situatat e kaluara e kanë bërë më sfidues edukimin dhe vetë universitetin. Ai u ndal në disa mësime që UET iu ka dhënë studentëve.

“Shpresoj shumë që sfidat tuaja t’i udhëhiqni nën moton e UET-së: E bën dot? Urime dhe qëndroni krenar që jeni pjesë familjes UET.”

Ceremonia u shoqërua me përshëndetjen e 5 ekselentëve të UET-së, për t’ë vijuar me thirrjen e emrit të secilit student të diplomuar. Hedhja e kapeles përmbylli një cikël jetësor, përmbylli një ceremoni, përmbylli dy vite të vështira sprove, me besimin se gjëra të reja presin gjithësecilin. Gjëra të reja presin edhe UET-në, sepse ëndrra vazhdon!

Top Channel