Ilir Daja në telashe në prag të derbit ndaj Tiranës. Mesfushori i ardhur me bujë gjatë merkatos së verës, Ergys Kaçe nuk do të jetë gati, pasi ka një dëmtim dhe ndaj Kukësit sakrifikoi, por stafi mjekësor ka këshilluar që të mos bëhet e njëjta gjë me Tiranën, pasi rrezikon një dëmtim më të rëndë.
Kaçe është një mungesë vërtetë e rëndësishme për ‘të kuqtë”, pasi ka eksperiencën dhe cilësitë e duhura për të bërë diferencën në sfida të tilla, megjithatë telashet më të mëdha trajneri Ilir Daja i ka në sulm.
Kështu braziliani Lucas Cardoso ka dëmtuar shpatullën në sfidën ndaj Kukësit dhe do t’i nënshtrohet një operacioni, që pritet ta mbajë larg fushave të lojës deri në fund të vitit, ndaj mungesa e tij në derbi klasifikohet si e sigurt.
Edhe Tedi Cara nuk është stërvitur me skuadrën për shkak të një tërheqjeje muskulore dhe prania e tij në derbi është thuajse e pamundur, megjithatë në dy ditët e ardhshme trajneri Daja do të bëjë vlerësimet e duhura, për ta pasur të paktën në pankinë.
Në rrethana të tilla, tekniku i “të kuqve” do të duhet të bazohet vetëm te Stenio Junior dhe Andrija Filipovic, për sulmin, por me kroatin që ka luajtur shumë pak dhe duket se nuk e ka bindur ende trajnerin Daja për cilësitë e tij.
Në një kohë kur mungon ende fitorja e parë sezonale dhe përballë është rivali më i urryer, trajneri Ilir Daja do të duhet t’i bëjë llogaritë edhe me fatin e keq, pasi do të duhet të bëjë pa tre nga futbollistët që kanë marrë më shumë minuta në këto javë të para./ Supersport
Top Channel