Braktisën Komisionin Hetimor për 25 prillin, reagon PS: Alibeaj injoroi të drejtën tonë për të paraqitur propozime

22/10/2021 15:50

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS, Toni Gogu, ka reaguar lidhur me largimin e socialistëve nga mbledhja e mbajtur ditën e sotme të Komisionit Hetimor, për zgjedhjet e 25 prillit.

Gogu shprehet se kreu i komisionit, nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka injoruar të drejtën e mazhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draft rregullores.

Gogu thekson më tej se: “Provokimit të vazhdueshëm për të nxjerrë komisionin nga udha e ligjshmërisë në përmbushje të funksionit të tij të hetimit e për ta kthyer në “foltore” nuk do i përgjigjemi kurrë pozitivisht”.

Reagimi i plotë:

Në shkelje të ligjit për komisionet hetimore (neni 10/1, 11/1 , 13/2 dhe 24) dhe të rregullores së kuvendit ( neni 25/2 , 34, 38, 49, 50, 51, 71, 75 e në mënyrë të posacme të nenit 76, Kryetari i komisionit hetimor zoti Alibeaj, në mënyrë të përsëritur injoroi të drejtën e maxhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draft rregullores deri në shkeljen flagrante të mos marrjes në konsideratë të rezultatit të votimit. Pas thirrjeve të vazhdueshme për të futur në shinat e ligjshmërisë procesin e votimit, u detyruam të kërkonim pushim sipas nenit 39/1, paragrafi 3. Ne mbetemi vullnetplotë për rifillimin në çdo moment të mbledhjes në respekt të plotë të Rregullores së Kuvendit.
Provokimit të vazhdueshëm për të nxjerrë komisionin nga udha e ligjshmërisë në përmbushje të funksionit të tij të hetimit e për ta kthyer në “foltore” nuk do i përgjigjemi kurrë pozitivisht . Gjithashtu jemi të vendosur të mos lejojmë në asnjë moment në veprimtarinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, imponimin e dhunshëm të kulturës së tyre partiake të votimit.

Top Channel