“Të ndihmoi Niko Peleshi të kaloje postobllokun?”/ Detaje nga përgjimet e policëve për të kaluar pa autorizim jashtë orës policore

21/10/2021 16:41

Në përgjimet e policisë së Korçës, ku janë kryer shkelje të respektimit të orës policore gjatë pandemisë së Covid-19 përmendet edhe emri i ministrit të mbrojtjes Niko Peleshi.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, zbulohen detaje nga përgjimi i telefonit të shefit të Komisariatit të Policisë Korçë, Krenar Gjokutaj. Gjatë një bisede mes Dervishit dhe një personi tjetër në telefon, tregohet se Krenar Gjokutaj, shefi i komisariatit të policisë Korçë kishte ndihmuar Dervishin që të kalonte postobllokun e policisë në Korçë.

“Në përgjimin e datës 20.07.2021, ora 22:40 është regjistruar një bisedë mes Arjel Dervishit dhe një tjetri, ku bashkëbiseduesi e pyet nëse e kishte ndihmuar Niko Peleshi për të kaluar postobllokun e policisë në Korçë. Arjel Dervishi e sqaron se nuk ishte ndihmuar nga Niko Peleshi por nga Krenar Gjokutaj”, thuhet në dosje.

Ndërsa në datën 12.08.2020, Krenar Gjokutaj bisedon me policin Petro Frahollin dhe punonjësin e sallës operative për t’i kthyer një personi një bllok dokumentesh automjeti.

Në një përgjim të mëparshëm, është përcaktuar se dokumentet i përkisnin automjetit të David Ponjarit. Ai ka biseduar me Gjokutajn duke i kërkuar që ta ndihmonte të rimerrte dokumentacionin e mjetit pasi punonjës të qarkullimit rrugor në Korçë e kishin gjetur jashtë orarit policor pa autorizim nga E-Albania, thuhet në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha.

Nga hetimet dhe këqyrja që ka realizuar policia gjyqësore rezulton se ndaj automjetit të Ponjarit nuk është kryer asnjë procedurë për shkak të kapjes jashtë orarit zyrtar pa autorizim.

Në përgjimet e telefonit të policit Petrit Fraholli, me detyrë specialist i policisë rrugore vërehen përsëritje të shpeshta të episodeve ku Krenar Gjokutaj bisedon me të për të lejuar të largohet pa procedurë administrative një automjet tip Range Rover në datën 01.05.2021, ndërsa në datën 05.06.2021 i kërkon të lejojë kalimin e një furgoni që drejtohej nga një person i quajtur Andrea pasi ishte miku i Gjokutaj.

Ndërsa në një bisedë, Gjokutaj i shfaq pretendim Petro Frahollit se ishte hera e dytë që ja bënin kështu në lidhje me një test.

Hetimi sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha kishte nisur për trafikun e sirianëve dhe sigurimin e kalimit të tyre nga Greqia për në Shqipëri e mandej në BE. Gjatë këtij hetimi ranë në përgjime efektivët e policisë në Tiranë dhe në Korçë që flasin për çështje të tjera.

Top Channel