‘Policët shenjtorë’ që zgjidhnin hallet e shkelësve/ Zbardhet skema si vepronin në Tiranë dhe Korçë

21/10/2021 14:16

Skema me të cilën vepronin policët e arrestuar një natë më parë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, në Tiranë dhe Korçë është zbardhur sot nga Top Channel.

Gjatë operacionit një ditë më parë janë arrestuar 4 efektivë të policisë dhe 6 janë pezulluar, pasi dolën në përgjime duke bërë pazare për mbylljen e lokaleve dhe tolerimin e qytetarëve që kryenin shkelje.

Nga përgjimet e policisë së Korçës dolën se edhe efektivët e  Komisaritati nr. 1 në Tiranë kryenin shkelje. Ata lejonin qytetarët jashtë orarit policor të vendosur për shkak të pandemisë së COVID-19.

Sipas dosjes së siguruar nga Anila Hoxha, fillimisht Krenar Gjokutaj, shefi i komisariatit të policisë Korçë dhe Arjel Dervishi janë vënë në përgjim.

Gjatë një bisede mes Dervishit dhe një personi tjetër në telefon, tregohet se Krenar Gjokutaj, shefi i komisariatit të policisë Korçë kishte ndihmuar Dervishin që të kalonte postobllokun e policisë në Korçë.

Në datën 12.08.2020, Krenar Gjokutaj bisedon me policin Petro Frahollin dhe punonjësin e sallës operative për t’i kthyer një personi një bllok dokumentesh.

Gjatë bisedave del se kryekomisari ka biseduar me Deivid Ponjarin, ku ky i fundit i ka kërkuar që t’i kthehen dokumentet e makinës, pasi policia ia kishte marrë se e  kishin gjetur jashtë orës policore pa autorizimin e e-albania.

Pas hetimeve ka rezultuar se ndaj qytetarit nuk kishte asnjë masë administrative.

Kamber Kllogjeri, me detyrë polic në qarkullimin rrugor në Korçë ka bllokuar automjetin e Dejvid Ponjarit duke mos shënuar asnjë masë administrative.

Nga hetimet rezulton se nuk ka asnjë dokument se automjeti i tij është bllokuar apo liruar më vonë. Kllogjeri dhe Fraholli thanë se përgjegjës për këtë është Klement Pikuli, i cili sipas tyre ka thënë se në të gjitha rastet shkelësve u merret dokumentacioni i mjetit pa asnjë akt të shkruar.

Punonjësi i policisë, Klement Kllogjeri tha se Pikuli ishte në atë rast kur është kapur makina e Ponjarit, duke theksuar se polici ishte në dijeni të shkeljes së qytetarit dhe urdhëroi vartësit e tij që të kthenin dokumentet pa u vendosur dënimi administrative.

Ky episod është ripërsëritur, ku qytetarë, miq apo të njohur të shefit të komisariatit i kërkojnë ndere dhe ai komunikon me sallën operative apo Petro Frahollin.

Ndërsa Çlirim Akrobati me detyrë trup shërbimi në qarkullimin rrugor Korçë ka kryer shkelje, pasi i ka vendosur një qytetari gjobë vetëm për mungesë rripi dhe jo për mungesën e patentës.

Ndërsa në kryeqytet, policët Arjan Balla bashkë me kolegun e tij, Jashar Shehu presin një telefonatë në sallën operative në 14 gusht, rreth orës 00:40, ku një qytetar ankohet për muzikë me orar të lartë dhe grumbullim njerëzish jashtë orarit policor në lagjen Shkozë të kryeqytetit.

Balla e mbylli çështjen, duke deklaruar se telefonata ishte e rreme. Të njëjtën gjë, ai rezulton ta ketë bërë dhe në dy raste të tjera, konkretisht në 15 dhe 20 janar të këtij viti.

Aktiviteti në fakt kishte qenë për një dasmë, pjesë e së cilës ishte Durim Murja, koleg me Ballën. Ai i ka kërkuar Ballës të mos ndërpresë festën dhe ky i fundit është bindur. Balla thotë në telefon se ka shumë ankesa për zhurmë në lagje, që vërteton se ai kishte informacion dhe në mënyrë të qëllimtë deklaroi se telefonata ishte e rreme.

Policët e përfshirë:

1. Inspektor Durim Murja, 33 vjeç, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

2. Inspektor Arjan Balla, 56 vjeç, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për “Falsifikim të dokumentave”.

3. Inspektor Jashar Shehu, 55 vjeç, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për “Falsifikim të dokumentave”.

4. Inspektor Matilda Hamolli, 30 vjeçe, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

5. Komisar Krenar Gjokutaj, 44 vjeç, me detyrë Shefi i Komisariatit të Policisë Korçë, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

6. Komisar Kelmend Pikuli, 53 vjeç, me detyrë Shef i Sektorit të Qarkullimit Rrugor Korçë, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

7. N/komisar Petro Fraholli, 48 vjeç, me detyrë specialist shërbimi për parandalimin dhe sigurinë rrugore në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, DVP Korçë, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

8. Inspektor Clirim Akrobati, 52 vjeç, me detyrë agjent verifikues në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, DVP Korçë, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

9. Inspektor Genci Hysi, 40 vjeç, me detyrë agjent verifikues në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, DVP Korçë, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

10. Inspektor Kamber Kllogjeri , 52 vjeç, me detyrë agjent verifikues në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, DVP Korçë, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

Hetimi sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha kishte nisur për trafikun e sirianëve dhe sigurimin e kalimit të tyre nga Greqia për në Shqipëri e mandej në BE. Gjatë këtij hetimi ranë në përgjime efektivët e policisë në Tiranë dhe në Korçë që flasin për çështje të tjera.

Top Channel