Operacioni antidrogë në Pukë e Mirditë/ SPAK zbulon si bashkëpunonin grupet kriminale me policinë, arrestohen 9 persona

21/10/2021 12:20
Foto ilustruese

SPAK ka dhënë detajet e operacionit antidrogë në zonën e Pukës dhe të Mirditës. Hetimet kanë zgjatur një vit dhe është dokumentuar se si grupet kriminale të përfshira përfshira në kultivimin e bimëve narkotike në zonat malore ndërmjet territorit të bashkive Pukë dhe Mirditë, kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin për të siguruar shitjen e drogës.

Ata kanë siguruar mbështetje nga strukturat e policisë për të vijuar veprimtarinë. Policët i informonin për kontrollet që do të ushtroheshin në zonë dhe kështu arrinin t’i shpëtonin efektivëve.

Mbi kërkesën e Prokurorisë së Posacme, GJKKO ka vendosur “arrest me burg” për 13 persona, një prej tyre me detyrë oficer i policisë gjyqësore (pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal). 9 prej tyre janë arrestuar ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Për 3 shtetas u vendos masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Ndërsa për 4 të tjerë punonjës të policisë gjyqësore, u vendos masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Nga ana e policisë gjyqësore janë ekzekutuar masat e sigurimit “arrest në burg”, për personat nën hetim L.N; Gj. K.; M.RR.; Z.L.; I.P.; L.K.; T.L.; A.K. dhe Y.V.; Ndërkohë që janë shpallur në kërkim personat nën hetim T.SH.; G.M.; G.T., si dhe K.B., ky i fundit me detyrë oficer i policisë gjyqësore. Janë ekzekutuar gjithashtu masat e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, për shtetasit S.L. dhe E.L.

Të gjithë shtetasit e mësipërm janë me cilësinë persona nën hetim për kryerjen e veprave penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 e 28/4, 333a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Ndërkohë janë ekzekutuar dhe masat e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personat nën hetim Z.M.; A.N.; P.F.; dhe F.A., me detyrë punonjës të policisë gjyqësore, si persona nën hetim për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal është arritur të evidentohen disa raste të aktivitetit kriminal dhe janë sekuestruar ndër të tjera provat materiale:

Në datë 02.12.2020 është sekuestruar sasia prej 37 kg e 450 gr lëndë narkotike “Cannabis sativa”.

Në datë 04.08.2021 në vendin e quajtur Qafa e Helmit mbi fshatin Shkozë, Pukë janë asgjësuar afro 4000 bimë narkotike të dyshuara ”Cannabis sativa”, të kultivuara në tre parcela dhe janë evidentuar tre ambiente të përshtatura për të qëndruar personat që kanë kultivuar bimët e dyshuara narkotike.

Në datën 01.10.2021 është sekuestruar sasia prej 12 kg lëndë narkotike ”Cannabis sativa” në zonën e fshatit Pletë, Pukë.

Në datën 01.10.2021 është gjetur vendi ku kryhej përpunimi i bimës narkotike dhe është sekuestruar ndër të tjera sasia e gatshme e lëndës narkotike “Cannabis sativa” me peshë 28 kg e 73 gr dhe një sasi tjetër e papërpunuar.

Hetimet u kryen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në kuadër të procedimit penal  nr. 251, të vitit 2020, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 e 28/4, 333a dhe 334/1 të Kodit Penal, si dhe për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndërkohë që hetimet po vazhdojnë në kuadër të dokumentimit të veprimeve të disa punonjësve të policisë gjyqësore, pasi dyshohet për përfshirje të tyre në këtë veprimtari kriminale.

Top Channel