“Nuk kishim para! Morëm kredi për të jetuar”, gruaja e Lulzim Bitrit zbulon përfshirjen e tij në vrasjen në Tetovë dhe ‘miqësinë’ me Talo Çelën

21/10/2021 13:33

Bashkëshortja e Lulzim Bitrit, i cili u qëllua me armë pranë një karburanti në Elbasan, ku ishte së bashku me Ardian Çollakun ka folur për “Shqipëria Live” duke treguar se së fundmi kanë pasur dhe vështirësi ekonomike.

Ajo rrëfen se kishin marrë kredi për të jetuar pasi kohët e fundit, Lulzimi ishte pa punë. “Ishte shumë e vështirë, dhimbje shumë e madhe. Ishte shumë befasi, shokuese, nuk e prisnim, ai kurrë nuk ka pasur konflikte”, tha bashkëshortja.

Sa i përket vrasjes në Tetovë, për të cilën u dënua me 4 muaj burg, bashkëshortja tha: “Luli ka qenë kalimtar aty, ai që është vrarë ka qenë shoku i Lulit. Kush është ai shtet që të kryesh vrasje e të dënojë me 4 muaj burg. Kohët e fundit ishte pa punë, kishim shumë vështirësi. Morëm edhe kredi për të jetuar.” Ndërsa për ekzekutimin e Everest Çakaj tregon se aso kohe nuk ka qenë fare në Shqipëri.

E pyetur nëse Bitri, i cili u ekzekutua me plumb në zemër, ishte qendra e atentatit, ajo thotë: “Nuk dua të dal në konkluzione po nuk dua të besoj se ka qenë atentat se mund t’ia bënin në mes të lagjes. Ai ikte dhe vinte natën, ka më shumë se 1 vit pa makinë. Kushëriri i Lulit e ka marrë tek shtëpia, më tha se kishin shkuar për të pirë kafe, ishte takuar rastësisht me Ardianin dhe i qëlluan me plumba. Luli ka marrë vetëm një plumb në zemër. Përmendin fise e njerëz të tjerë që nuk i njohim dhe nuk e di a mbajnë përgjegjësi.”

Ndërsa për miqësinë me të shumëkërkuarin për disa vrasje të bujshme, Talo Çelën, thotë: “Unë nuk e njoh por mund të kenë pasur miqësi si çuna lagjesh se janë në një lagje. Ka shumë vite që as ja kemi dëgjuar më emrin.”

Si ndodhi ekzekutimi

23 gëzhoja plumbash gjeti policia në vendin e ngjarjes ndërsa mësohet se autorët të cilët ishin të maskuar janë larguar me shpejtësi, braktisën mjetin dhe e dogjën në fshatin Balldren të Elbasanit e më tej nuk dihet asgjë për identitetin e tyre.

Duket se atentati ka qenë i mirëorganizuar. Autorët ishin në pritje të Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit e sapo këta të fundit kanë parkuar makinën për t’u ulur në një bar pranë pikës së karburantit janë qëlluar me breshëri.

Viktimat nuk ishin të panjohura për drejtësinë shqiptare. Ardjan Çollaku ishte dënuar më parë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhunë në familje, aksident me pasojë vdekjen etj. Babai i dy fëmijëve njihej edhe me mbiemrin Subashi dhe duket se ka qenë i përfshirë edhe në rrjetin e prostitucionit në Itali.

Nga ana tjetër 43 vjeçari Lulzim Bitri dyshohej si i përfshirë në një vrasje të ndodhur në Tetovë para disa vitesh, gjë që e shoqja e mohoi.

Top Channel