“Lufta bëhet për transportin e mësuesve”/ Kryebashkiaku i Selenicës që u godit nga biznesmeni: Ishte i dehur! Nuk ka lab që s’pi, por…

21/10/2021 14:19

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Pëllumb Binaj është goditur nga një biznesmen, pas debatit për linjën e furgonave Vlorë- Sevaster. Ai ka folur për mediat duke thënë se personi që e dhunoi, Pellat Bonaj, nuk pranoi të ulej dhe të zgjidhte situatën, por ta godiste dhe ta kërcënonte.

Sipas Binaj, pronari i linjës së udhëtarëve Vlorë-Sevaster, Pellat Bonaj, ishte i dehur. Kur u pyet nëse kishte konsumuar shumë alkool, u përgjigj duke thënë: “S’ka lab të mos konsumojë por varet në çfarë faze.”

Pëllumb Binaj: Është i vërtetë njoftimi i policisë. Ky incident nuk duhet të kishte ndodhur. Të gjithë ne brenda kësaj bashkie jemi një familje e madhe dhe kemi lidhje me njëri-tjetrin, por nuk duhet të kishte ndodhur dhe për arsyen e madhe të funksioneve të cilat ushtrojmë dhe përgjegjësive që kemi në këto funksione në shërbim të njerëzve dhe qytetarëve. Personat të cilët më kërkuan takim nuk kishin lidhje me incidentin por gjatë sqarimit me ta për problemin e licensës që kishin, pronari i këtyre dy shoferëve dhe erdhi pa pranuar kërkesën tonë për tu ulur dhe për të folur për shqetësimin që kanë, goditi direkt dhe shau, kërcënoi, fyu, gjithcka që mund të bëjë një njeri që unë e quaj të pirë ose të dehur sepse një njeri normal as nuk i mendon këto gjëra sepse zona ka zakonisht burra të nderuar e të respektuar.

Nga ana tjetër shpjegon se ai nuk jep licensa dhe thekson se bëhet fjalë për disa licensa që janë dhënë para disa vitesh nga Bashkia Vlorë. I gjithë debati ka nisur për transportin e mësuesve sepse asnjëri nuk ka marrë dokumentat nga DAR Fier dhe mësuesit e zgjedhin vetë transportin.

Pëllumb Binaj: Diçka është bërë nga këta që merren me licensat, është afruar orari rreth 7-ës. Lufta bëhet se kush do të marrë mësuesit. Ata që duan të merren me transportin e mësuesve, duhet të paraqesin dokumentat në DAR Fier. Nuk ka lidhje me Bashkinë Selenicë. Ai që e fiton këtë të drejtë, i kalojnë lekët e mësuesve në llogari. Në këtë rast, asnjëri nuk e ka marrë këtë nga drejtoria arsimore Fier. Në këto kushte, mësuesit marrin në borderotë që i jep Drejtoria Arsimore dhe i zgjedhin vetë alternativat e transportit. Ata kanë zgjedhur dikë tjetër dhe ky shfryn tek unë, kërkon të heq licensën.

Ndërsa kur u pyet nëse ka marrë shumë dëme nga goditjet, kryetari i Bashkisë Selenicë tha se e rëndësishme është që të gjithë të kuptojnë se duhet të funksionojnë mekanizmat, jo individi.

Top Channel