Çuçi shpjegon projektligjin që e shndërron SHÇBA në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore

21/10/2021 15:17

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, shpjegoi sot në Komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore projektligjin për reformimin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe shndërrimin e këtij institucioni në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore.

Çuçi tregoi risitë e kësaj nisme ligjore dhe tha se Një tjetër element shumë i rëndësishëm që kërkoi një reformim dhe një ligj të ri për shërbimin, janë dhe rekomandimet e partnerëve e tanë ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë, dhe kryesisht është me rëndësi për t’u përmendur rekomandimi për të përputhur me standartet e EPAK-ut që është pra siç e dini European Partnership Against Corruption. Më poshtë pjesë nga fjala e tij në Komision.

Në lidhje me Projektligjin për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, në fakt ky ligj vjen dhe është pjesë përbërëse e paketës tërësore ligjore për të reformuar strukturat e sigurisë, edhe në përmbushje të prioritetit të qeverisë për të rritur parametrat e sigurisë, për forcimin e luftës së krimit në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti, si dhe luftës kundër korrupsionit.

Aktualisht, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat vepron në bazë të ligjit nr. 70 të vitit 2014, por gjatë kësaj periudhe ka patur një sërë ndryshimesh ligjore, kushtetuese, strukturore që e kanë bërë të domosdoshëm rishikimin e këtij ligji, të tilla si:

Reforma në drejtësi, përgjegjësia e realizimit të vetingut ndaj subjekteve, ri konceptimi me standarde i statusit të punonjësit dhe i gjithë shërbimit, hapja e rrugës për investime në fushën e teknologjisë, ndryshimi i ligjit të policisë gjyqësore, krijimi i institucioneve të reja të akuzës si SPAK, BKH, ri konceptimi i trajtimit të doktrinës nevojë për njohje që materializohet në funksionet që punojnë me informacionin e klasifikuar, e deri tek forcimi i integritetit të shërbimit për të plotësuar si duhet misionin mbikëqyrës ndaj subjekteve të saj.

Këto objektiva të zhvillimit institucional afatmesëm janë të përmendura edhe në dokumenta strategjik siç është Strategjia e SHÇBA-së 2020-2024.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm që kërkoi një reformim dhe një ligj të ri për shërbimin, është apo janë dhe rekomandimet e partnerëve e tanë ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë, dhe kryesisht është me rëndësi për t’u përmendur rekomandimi për të përputhur me standartet e EPAK-ut që është pra siç e dini European Partnership Against Corruption.

Ky projektligj, në tërësinë e vet ka 13 krerë dhe 89 nene, është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ICITAP-in dhe gjithashtu ka kaluar një proces të gjerë konsultimi publik, ku kanë qenë të pranishëm institucionet të përfshira dhe subjektet mbikqyrëse, por edhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë publike.

Çfarë synon kryesisht ky projektligj:

• Në rradhë të parë, reformimin e Shërbimit apo Agjencisë siç do të quhet pasi të miratohet ky ligj, si një agjenci inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të agjencisë, duke e përafruar atë me agjencitë e tjera homologe të vendeve anëtare të BE-së.

• transformimin e Shërbimit apo Agjencisë drejt një modeli më demokratik e institucional, si pjesë e komunitetit të agjencive ligj zbatuese e inteligjente në vend, sipas standardeve të EPAC-ut, si në aspektin e misionit, ashtu edhe në drejtim të përcaktimit të detyrave funksionale, përgjegjësive, strukturës dhe personelit;

• forcimin të funksionit të Shërbimit apo Agjencisë, në zbatim të parimeve të respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut;

• rritjes së kapaciteteve të shërbimit apo Agjencisë për një qasje proaktive ndaj fenomeneve korruptive të subjekteve të shërbimit,

• parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimit paraprak të veprimtarisë kriminale e korruptive, në subjektet e shërbimit;

• dhe përmirësimit të infrastrukturës teknologjike të shërbimit për t’iu përgjigjur dinamikës dhe kërkesave gjithmonë në rritje.

Tani duhet të ndalem kryesisht tek risitë që ka ky projektligj krahasuar me legjislacionin ekzistues:
Në rradhë të parë është zgjeruar fusha e përgjegjësisë, pra tashmë, ajo që sot quhet SHÇBA, por që ne pas miratimit të ligjit do të quhet Agjenci, në fushën e përgjegjësisë do të shtohen edhe subjekte të tjerë siç është: Garda e Republikës apo Shërbimi Zjarrfikës, përveç Policisë së Shtetit që është deri tani. Gjithashtu edhe ndryshimi i emrit ka kuptimin e vet.

Doktrina e mbikëqyrjes sipas koncepteve dhe standardeve të EPAC-ut, kërkon reformimin e shërbimit edhe në emërtimin e tij, duke i dhënë garanci qytetareve se ka një strukturë të specializuar që mbikëqyr me metoda të ligjshme organizatën me të madhe të sigurisë siç është Policia e Shtetit. Pra qytetari do të dijë ku të drejtojë ankesat apo pretendimet e tij, në drejtim të përmbushjes së misionit policor në respekt të ligjit dhe Kushtetutës së vendit.

Një risi tjetër është kalimi në një strukturë civile, pra “zhveshja” nga gradat dhe krijimi i kësaj strukture civile, me një zhvillim të qartë karriere dhe duke shmangur konfliktin e interesit me subjektet që mbikëqyr. Ne gjykojmë që kalimi i personelit në strukture civile, duke ruajtur kapacitetet njerëzore aktuale dhe ato që do rekrutohen në të ardhmen, e bën strukturën më të qëndrueshme, më të hapur, më transparente dhe më civile, në mendësi dhe veprimtari, në konceptin e mbikëqyrjes së jashtme civile.

Gjithashtu, unifikon të gjithë punonjësit në të drejta dhe detyrime, gjë e cila në legjislacionin aktual nuk e gjen një rregullim të tillë, pasi disa nga të drejtat dhe përfitimet suplementare, i gëzojnë vetëm punonjësit me gradë.
Përgjatë gjithë frymës së projektligjit kemi synuar pikërisht që të unifikojmë këto të drejta dhe benefite që do ketë tashmë kjo strukturë civile në të ardhmen me subjektet që ajo mbikëqyr.

Një risi tjetër është sepse ky legjislacion, ky projektligj përcakton detyrimet që rrjedhin nga akte ligjore të miratuara ndërkohë, si ai për “Vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve mbikqyrëse”. Pikërisht në ligjin përkatës “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇBA, kjo strukturë ka marrë funksione të reja, të cilat duhet të përfshihen në ligjin organik të kësaj agjencie.

Risi tjetër është veprimtaria verifikuese për pajisjen me Çertifikata të Sigurimit të Personelit të subjekteve. Ky detyrim ka lindur edhe pas miratimit në 2015 të vendimit të qeverisë, “Për miratimin e rregullave të sigurimit të personelit”, i cili i jep të drejtën shërbimit apo agjencisë në të ardhmen, si autoritet verifikues, për pajisjen me çertifikatë sigurie të subjekteve që për shkak të detyrës duhet të njihen me informacion të klasifikuar.

Aktualisht veprimtaria e pajisjes me çertifikatë ndiqet edhe nga Policia e Shtetit dhe nga Agjencia, dhe nga SHÇBA-ja. Në të parën bëhet aplikimi, plotësimi i formularëve dhe përcjellja për verifikim në Agjenci apo SHÇBA. Ndjekja e këtij procesi në këtë mënyrë ka ndikuar në krijimin e hapësirave abuzuese ku nuk respektohet doktrina e “nevojës për njohje” në funksionet që punohet me informacionin e klasifikuar.

Gjithashtu nga inspektimet e bëra vetë nga SHÇBA-ja në “Policia e Shtetit” ajo, pra SHÇBA-ja, ka evidentuar një sërë problemesh të cilat kërkojnë detyrimisht përfshirjen e sektorit të çertifikimit që është në Policinë e Shtetit në një strukturë të posaçme për trajtimin e kësaj përgjegjësie pikërisht në Agjencinë apo në SHÇBA-në e sotme apo Agjencinë në të ardhmen. Dhe konkretisht disa nga problematikat që janë dhe shqëtësuese, po i rendis si më poshtë, pra që lidhen pikërisht me procesin e pajisjes me çertifikatë:

• Në rradhë të parë, pra këto janë evidentuar tashmë qartë nga SHÇBA-ja, në rradhë të parë, nuk bëhet ndjekja në mënyrë permanente e pajisjes me çertifikatë të punonjësve bazuar në nivelin e klasifikimit dhe detyrën apo funksionit organik që mbajnë.

• Së dyti, nuk ndiqen afatet e pajisjes me çertifkatë dhe krijohen periudha të pa mbuluara ndërkohë që punonjësi vazhdon të punojë me informacion të klasifikuar.

• Në emërime apo transferime të punonjësve, nuk është marrë shpeshherë në konsideratë niveli i çertisikatës që ka punonjësi, duke e evidentuar faktin si funksioni organik duhet të jetë në harmoni me nivelin e çertifikatës së sigurisë për tu njohur me informacionin e klasifikuar.

• Gjithashtu ka patur raste që edhe pse u janë pezulluar apo refuzuar pajisja me çertifikatën e sigurisë të punonjësve nga DSIK-ja, këta punonjës kanë vazhduar të njihen me informacionin e klasifikuar.

• Dhe së fundi nga problematikat subjektet e Agjencisë aktualisht nuk kanë krijuar një database për të kontrolluar e mbikëqyrur punonjësit që nuk janë të pajisur me çertifikatë apo u mbaron afati e duhet të ri aplikojnë përsëri. Duke mos pasur përgjegjësi dhe autoritet të drejtpërdrejtë në procesin e aplikimit si dhe pastaj në mbikëqyrjen e këtij procesi, ka rezultuar që aplikimi të jetë spontan dhe në dëshirën apo vullnetin e gjithsecilit.

Pra, është kjo mënyrë e të funksionuarit të procesit që ka krijuar efekte të drejtpërdrejta në implikimin e punonjësve të policisë në veprimtari korruptive pasi duke mos u mbikëqyrur procesi, në mënyrë të vazhdueshme dhe institucionale, kanë ndodhur raste të shmangies apo të aplikimit me vonese nga ana e tyre, ndërkohë që këta punonjës kanë vazhduar të njihen me informacion të klasifikuar pa u pajisur me çertifikatë.

Pra, ju përmenda këto problematika që i ka nxjerrë vetë SHÇBA-ja për të treguar sa i rëndësishëm është ndryshimi në ligj, dhe që është një risi që e sjell pikërisht ligji që kemi sjellur për ta ndryshuar mënyrën dhe procedurën e aplikimit për çertifikatën.

Sipas projektit të ri tashmë Agjencia apo SHÇBA-ja sot merr përgjegjësinë për subjektet e saj që të udhëheqë procesin që nga faza fillestare e aplikimit e deri në përfundimin e plotë të praktikës duke kryer veprimtarinë verifikuese dhe dërguar për kompetencë në DSIK me konkluzionin nëse ekziston ose jo kushti i sigurisë.

Kujdes se duhet theksuar që nuk bëhet fjalë për marrjen e atributit të vendimmarrjes për pajisje me çertifikatë sepse atë e ka DSIK-ja, por është pikërisht i gjithë procesi që çon deri në marrjen e çertifikatës që do të udhëhiqet tashmë nga Agjencia dhe do të shkëputet plotësisht hallkat e procesit nga policia.

Risia e pestë, lidhet me procesin e ekzaminitmit poligrafik. Ekzaminimi poligrafik ka lindur si detyrim me ligjin 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, dhe është parashikuar si një nga fazat e rekrutimit të personelit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Deri tani është bërë me disa rregulla dhe sigurisht për nga infrastruktura ndihmuar fuqimisht nga Ambasada e SHBA dhe ICITAP-i ku kemi trajnuar 5 ekspert, pra kanë trajnuar 5 ekspertë por lind nevoja që ky proces kaq i rëndësishëm edhe me sensitet kushtetues për sa i takon pjesës së të drejtave të njeriut të bëhet i normuar me norma shumë të qarta ligjore.

Dhe sigurisht që mbetet një proces mjaft i rëndësishëm në funksion të kontrollit të figurës dhe do të aplikohet edhe në rekrutimin e punonjësve të Agjencisë në të ardhmen dhe për rekrutimin e subjekteve që mbikëqyr Agjencia me qëllim garantimin e integritetit të tyre gjatë ushtrimit të detyrës.

Dhe risija apo e reja e gjashtë që sjell ky projektligj ka të bëjë me të drejtën e hetimit disiplinor, atribut ky që me këtë projektligj do t’i jepet Agjencisë apo SHÇBA-së sot.
Sipas rekomandimeve të ekspertëve të Programit ICITAP si dhe standardeve të EPAC-ut, strukturat që mbikëqyr Agjencia janë në konflikt të hapur interesi nëse ankesat apo shkeljet që konstatohen nga Agjencia, do të hetoheshin nga vetë strukturat ku janë me detyrë subjektet.

Nisur nga treguesit e deritanishëm që disponon SHÇBA-ja, të siguruara gjatë inspektimeve të zhvilluara si dhe raportet e vlerësimit të jashtëm të përgatitur nga ekspertet e Programit ICITAP apo dhe vlerësimit të mekanizmit të ankesave të zhvilluar nga Misioni PAMECA V, rezulton se numri i punonjësve të niveleve menaxheriale të ndëshkuar me masë disiplinore për shkelje të rënda disiplinore të kryera nga ana e tyre apo performancë të dobët të strukturave që ata menaxhojnë, është ekstremisht i ulët, dhe për shkak të këtij konflikti interesi që përmenda më sipër.

Objekt i hetimit disiplinor të Agjencisë, janë apo do të jenë të gjitha shkeljet e rënda të cilat konstatohen nga vetë Agjencia gjatë veprimtarisë së saj mbikëqyrëse.
Në këtë projektligj përcaktohet se kategoritë e shkeljeve si dhe llojet e masave disiplinore që përcaktohen në aktet ligjore e nënligjore të subjekteve përkatëse dhe Apelimi i masave disiplinore të bëhet pranë Komisionit të Apelimit.
Pra, krijohet edhe një komision gjithsesi për t’i dhënë të drejtën e apelimit çdo subjekti që do marrë një masë disiplinore drejtpërdrejt nga Agjencia apo SHÇBA-ja sot.

Edhe sipas Programit ICITAP, marrja e kësaj kompetence është roli minimal që duhet të luajë Agjencia, pavarësisht se prapë kjo nuk është në përputhje të plotë me parimet e EPAC-ut, por duke kuptuar që është një hap shumë i madh përpara, në krahasim me mungesën e llogaridhënies deri tani ne e kemi lënë në këtë nivel.

Kjo nevojë del më evidente në rastet e incidenteve të rënda të cilat krijojnë impakt të drejtpërdrejtë në komunitet. Për këtë duhet të ketë një hetim të pavarur dhe publiku nuk do të pranojë që kjo të bëhet nga subjektet që mund të kenë shkaktuar pikërisht këto incidente, pasi kemi dukshëm atë që thashë edhe më sipër konfliktin real të interesit apo të perceptuar.

Nëse Agjencia zbulon shkelje administrative apo nevojën për të bërë ndryshime politikash, ajo duhet të ketë kompetencë për t’i vënë ato në zbatim. Publiku nuk do të besojnë subjektet e Agjencisë që të hetojnë apo vënë në zbatim ndryshimet.

Kjo e gjitha bëhet për të rritur besimin e publikut dhe jo për të ndëshkuar subjektet.

Të dashur kolegë, të nderuar kolegë, mbikëqyrja është më shumë sesa thjesht vëzhgim dhe raportim. Ka gjithashtu një komponent mbikëqyrjeje për të siguruar që gjërat bëhen në mënyrë korrekte sipas Kushtetutës, sipas ligjit, në interes gjithmonë të publikut.

Ne kemi bindjen se ky është një produkt ligjor cilësor, në funksion të rritjes së sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit, një produkt ligjor që do t’i rezistojë kohës, do të shërbejë për ndërtimin e institucioneve më të mira, që kanë besueshmeri më të lartë të publikut dhe për rrjedhojë të një shoqërie më të mirë.

Top Channel