Ambasada ruse e kontaktuar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tha se mezi presin zbardhjen e ngjarjes nga ana e autoriteteve shqiptare për vdekjen misterioze të 4 turistëve.

Sipas ambasadës, ka një kontakt mes dy vendeve për ngjarjen e rëndë, ndërsa pritet zbardhja e rrethanave.

“Ambasada tashmë ka bërë një reagim të dielën. Ambasada si institucion nuk është organi hetimor ose prokuroritë, në raste të tilla detyra jonë është të jemi pikë kontakti ndërmjet organeve hetimore të të dyja vendeve dhe të organizojmë çështje teknike(riatdhesimi i trupave). jemi në kontakt me autoritetet shqiptare dhe mezi po presim  zbardhjen e rrethanave të kësaj tragjedive. vetëm kaq mund të themi”, sipas ambasadës.

Shqipëria po përpiqet të zbërthejë arsyet e vdekjes së njëkohshme të katër turistëve rusë Sergeit, Natalisë, Ekaterinës dhe Nikitës.

Përpos interesimit dhe ndjekjes së autopsisë edhe nga përfaqësues të ambasadës ruse, sipas burimeve pranë mjekësisë ligjore me interes për hetimin do të ishin përgjigjet e institutit të shëndetit publik.

Aty deklarohet se janë përcjellë mostra nga uji i pishinës jashtë të cilës u gjetën të pajetë katër rusët, mbasi pretendohet të kuptohet se sa e lartë ishte sasia e klorit, çka do të zgjidhte përfundimisht pyetjen nëse mund të ndërrojnë jetë 4 persona brenda një ore si të helmuar nga avujt e klorit?

Ekspertiza në gjak pritet të zgjasë së paku tre javë, për të konfirmuar nëse katër qytetarët rusë ndërruan jetë nga helmimi me klor apo nga shkaqe të tjera, ndërkohë që të gjithë shtetasit që gjendeshin në të njëjtin grup me turistë dhe që udhëtuan me familjen Burenkov dhe dhëndrin e tyre kanë ndërprerë pushimet dhe pas dhënies së dëshmisë janë kthyer në vendin e tyre.

Prokuroria e Kavajës konfirmon se çështja i është referuar për vrasje në rrethana cilësuese dhe për këtë arsye për shkak të eksperimenteve hetimore dhe kontrolleve të rrepta dy dhomat ku qëndruan 4 turistët si dhe jakuzi qëndrojnë të bllokuara dhe të administruara si vendngjarje.

Ndërkohë, mediat ruse njoftojnë se Kryetari i Komitetit Hetimor ka udhëzuar Drejtorinë Kryesore të Hetimit dhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare që me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të sigurojë informacion nga autoritetet shqiptare për të raportuar mbi rrethanat e 4 vdekjeve tragjike.

Kujtojmë se familja ruse, prindërit me vajzën dhe të fejuarin e saj u gjetën pa jetë në pishinën dimërore të hotel ”Gloria Palace” në zonën turistike të Qerretit më 16 tetor.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel