Shqipërisë do t’i kushtojë deri në 62 milionë dollarë lëshimi i “Albania 1” dhe “Albania 2”

20/10/2021 14:13

Shqipëria pritet të lëshojë vitin tjetër dy satelitë në hapësirë, “Albania 1” në muajin mars dhe “Albania 2” në muajin qershor, duke u radhitur kështu krahas vendeve që kanë një “sy” në hapësirë.

Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili postoi një video të një bisede më një nga ekspertët e kompanisë SpaceX, për mënyrën se si do të bëhet lëshimi i satelitit.

Ky është lëshimi i SpaceX Falcon 9, që u bë në qershor. Lëshuam katër satelitë gjatë tij. Lëshuam satelitin Mark 4, variantin 17, 18, 19, që është modeli i ri. Kjo që po shihni është lëshimi në orbitë”, tha eksperti i kompanisë.

Kryeministri Rama në bisedën e tij me përfaqësuesin e kompanisë SpaceX, nuk i bëri me dije afërsisht kostot e lëshimit të satelitëve me SpaceX Falcon 9, duke ngjallur kuriozitet akoma edhe më të madh tek shqiptarët.

Pra, sa kushton SpaceX për të lëshuar një Falcon 9?

SpaceX po lançohet më shpesh se çdo vend ose kompani tjetër dhe CEO i saj Elon Musk ka deklaruar kosto të ulëta, si dëshmi e përmirësimit të besueshmërisë së raketave Falcon 9 të kompanisë së tij.

“Kam kontrolluar kostot, ne arrijmë deri në një milion dollarë më pak se konkurrentët, për të siguruar një mision Falcon 9”, deklaroi Musk.

SpaceX, në faqen e saj të internetit, e reklamon lëshimin e raketës Falcon 9 me një çmim prej 62 milionë dollarësh.

Ndërsa SpaceX ka shënuar dy dështime në lëshimin e raketave në dekadën e fundit, Falcon 9 është lëshuar me sukses 81 herë.

Çmimi për një lëshim të Falcon 9 mund të ndryshojë shumë në varësi të asaj që kërkon një klient.

Forcat Ajrore të SHBA, nga kontratat e fundit, i dhanë SpaceX 95 milionë dollarë për lëshim, pasi siguria kombëtare e këtyre misioneve i ngarkonte kërkesa shtesë kompanisë. Por, në rastin kur SpaceX, ripërdor pjesë të raketës së tij, kompania thotë se mund të faturojë një çmim më të ulët se ai i dhënë në listë.

Në një konferencë në fillim të këtij viti, drejtori i integrimit të automjeteve në SpaceX, Christopher Couluris tha se kompania mund të “ulë lëshimin e raketës nën 30 milionë dollarë”.

“Raketa kushton 28 milionë dollarë për ta lëshuar, ripërdorimi i saj e ul çmimin”.

Dy vjet më parë, SpaceX, paraqiti versionin përfundimtar të raketës së tij Falcon 9, për të cilën Musk është shprehur se ka aftësinë për të kryer të paktën 100 fluturime.

Deri më tani, SpaceX ka lëshuar dhe ulur një përforcues të vetëm Falcon 9 vetëm pesë herë.

Satelitët Albania 1 dhe Albania 2, të cilët qeveria ka paralajmëruar se do t’i çojë në orbitë pritet të jenë gati në mars dhe qershor, zbulohet nga një video e postuar në Facebook nga kryeministri Edi Rama.

Rama dëgjohet teksa flet me një përfaqësues të atyre që duket se kanë marrë përsipër realizimin e satelitëve, i cili ilustron me video lançimin e Spacex Falcon 9.

Biseda e Ramës me ekspertin e kompanisë SPACE X

Rama: Pra jemi këtu.

-Po, ky është lëshimi i Spacex Falcon 9, që u bë në qershor. Lëshuam katër satelitë gjatë tij. Lëshuam satelitin Mark 4, variantin 17, 18, 19, që është modeli i ri. Kjo që po shihni është lëshimi në orbitë.

Rama: Domethënë, Albania 1 kur do të jetë gati? Në mars?

-Po, në mars do të lëshohet. Do duket kështu si kjo. Do të filmojmë një video dhe gjëja tjetër që do të shohim pas shkëputjes do të jetë vendosja e satelitit në orbitë.

Rama: Po Albania 2? Në qershor…

-Saktë…

Rama: Super

-Kjo është pamje e orbitës ku do lëshohen

Rama: Shqipëria në orbitë. E pabesueshme, por e vërtetë.

-Po, zotëri

Në bisedën me inxhinierin e SpaceX është përmendur raketa Falcon 9, e cila është projektuar nga SpaceX dhe është e aftë të bëjë disa udhëtime. Më i fundit është bërë në qershor dhe janë lëshuar katër satelitë në hapësirë. SpaceX planifikon të zëvendësojë përfundimisht Falcon 9 dhe Falcon Heavy me sistemin e lëshimit Starship. SpaceX është zhvilluese e programit të 10 mijë satelitëve dhe të trenit kozmik që u shfaq në hapësirë dy ditë më parë. Shqipëria këto satelitë do t’i përdorë për monitorimin e territorit.

Kryeministri pak ditë më parë deklaroi ambicien që Shqipëria do të ketë dy satelitë në orbitë. Lajmin për të patur dy satelitë në orbitë ‘Albania1’ dhe ‘Albania2’, Rama e dha në Kuvend, duke shkaktuar edhe të qeshura në radhët e opozitës. Basha reagoi me ironi duke thënë se kjo është taktikë për të ruajtur statuskuonë.

Satelitët artificialë janë pajisje të cilat shërbejnë për transferim të të dhënave anembanë rruzullit tokësor. Ata janë objekte të ndërtuara nga njeriu, të cilat janë të vendosura në orbitë nga largësia 2.000 deri në 35.000 km nga sipërfaqja e Tokës.

Top Channel