Premier League ka ndërtuar një databazë të dhënash, ku ruan ecurinë e procesit të vaksinimit te futbollistët dhe stafet e klubeve, teksa në njoftimin më të fundit ka raportuar se shifra e të vaksinuarve ka shkuar në 68%.

“Sipas të dhënave që administrojmë, 68% e futbollistëve të Premier League janë tashmë plotësisht të vaksinuar dhe 81% janë ata që kanë injektuar të paktën një dozë”, thuhet në komunikatën e Premier League.

Këto të dhëna janë një tregues mjaft i mirë se po rritet ndërgjegjësimi te futbollistët për t’u vaksinuar, teksa më i fundit që ka bërë thirrje, ka qenë irlandezi Callum Robertson, që u shpreh se ka bërë vaksinën, pavarësisht se ka kaluar dy herë koronavirusin. Edhe trajnerët e Premier League si Klopp, Guardiola, Arteta, Rodgers, etj., kanë dhënë shembullin e tyre pozitiv duke u vaksinuar të parët, në mënyrë që të nxitin edhe futbollistët të bëjnë të njëjtën gjë.

Tekniku gjerman i Liverpoolit, Jurgen Klopp zbuloi para pak ditësh se te “the reds” janë vaksinuar thuajse të gjithë dhe se nuk i është dashur të bëjë punë bindëse, pasi u ka theksuar vetëm se është një gjest vetëmbrojtës. Gjithsesi ligat e tjera europiane janë ende shumë larg shifrave të Premier Leagues dhe shumë futbollistë vijojnë të bëjnë rezistencë ndaj vaksinimit, duke përfituar edhe nga fakti që ky proces nuk është ende i detyruar për ta.

Top Channel