Ditën e sotme ishte parashikuar të mbahej mbledhja e komisionit hetimor të 25 prillit, por nuk u zhvillua për shkak se nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm.
Kryetari i Komisionit Hetimor për Zgjedhjet, Enkelekd Alibeaj në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit njoftoi se mbledhja e radhës do të mbahet ditën e premte, në ora 10:00.
Edhe pse është një ditë pune, Alibeaj u shpreh se do të kryejnë detyrimin ndaj kushtetutës dhe nevojës së qytetarëve për të bërë transparencë.
“Po përfitoj t’ju njoftoj që mbledhja tjetër do të jetë ditën e premte, ora 10:00. Është ditë punë kur të gjithë ne do të kryejmë detyrimin ndaj Kushtetutës, nevojës së qytetarëve për të bërë transparencë”, njoftoi Alibeaj.
Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaroi se PS ka bojkotuar Komisionin Hetimor duke shtuar se kjo është dëshmi e papërgjegjshmërisë së tyre. Mirëpo, përmes një reagimi, Partia Socialiste ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, duke thënë se nuk u paraqitën në mbledhje pasi nuk u njoftuan 24 orë përpara nga kryetari i saj.
Top Channel