Sekretari Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat ka bërë të ditur se nesër grupi parlamentar do të depozitojë në Kuvend amendamentet kushtetuese për vettingun e politikanëve, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore.
Bardhi theksoi se këto vendime të grupit të PD-së nuk janë në interes të partisë, por të qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që në institucionet më të larta shtetërore të kemi persona jo të lidhur me krimin e organizuar.
Bardhi: Sot grupi i punës, i cili u formua dje u mblodh dhe u ra dakord për të gjithë çështjet që grupi parlamentar autorizoi dhe vendosi që nesër të depozitojmë amendamentet kushtetuese që formalizojnë të treja propozimet që unë përmenda, vettingun e politikanëve, reformë territoriale dhe reformë zgjedhore.
Të treja nuk janë të interesit për PD, por për interes të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur momenti që të sigurojmë që në institucionet më të larta shtetërore në parlament, qeveri dhe institucionet kushtetuese të kemi persona jo të lidhur me krimin e organizuar dhe persona që nuk janë të korruptuar.
Nesër do të njiheni edhe me propozimet tona të plota, sot grupi i punës sot ka siguruar depozitimin e këtyre amendamenteve gjatë ditës së nesërme.
Top Channel