Myrto Uzuni luan titullar, por në “Celtic Park” feston Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ishte në tribunë për të bërë tifo për skocezët e Celtic, që ia dolën të triumfojnë me shifrat 2-0 ndaj Ferencvaros.

Në një stadium që “ziente” nga publiku i jashtëzakonshëm skocez, nuk mungoi as një mesazh thumbues ndaj UEFA-s, që kishte vendosur zhvillimin e sfidës në një orar tërësisht të pazakontë, në orën 16:30.

Sa i përket ndeshjes, pjesa e parë ishte e balancuar, me më shumë iniciativë për vendasit, por edhe hungarezët nuk mbetën pas, sepse zbritën shumë shpesh në kundërsulm dhe në një rast me Uzunin kërcënuan rrezikshëm portën e Joe Hart, i cili grushtoi në këndore. Sfida u zhbllokua në minutën e 57’ nga japonezi Furuhashi, i cili shfrytëzoi një pasim perfekt të portugezit Jota dhe dërgoi topin në rrjetë, ndërsa 5 minuta më vonë portieri i Ferencvaros, Dibusz priti një penallti të Turnbull, duke mbajtur në lojë hungarezët.

Me gjithë përpjekjet, Ferencvaros nuk ia doli të kërcënojë kuadratin e Hart, ndërsa në minutën e 81-të ishte Turnbull që shënoi edhe golin e dytë për skocezët, duke bërë që në shkallët e “Celtic Park” të shpërthejë festa, me tifozët që kërcenin me shpinë nga fusha. Minutat e mbetura ishin një spektakël më vete, pasi të dy skuadrat u hapën dhe Ferencvaros kërcënoi me Uzunin, ndërsa Celtic shpërdoroi dy mundësi të arta me Turnbull e Jota, të cilët humbën rastin e shënimit të golit të tretë.

Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin 2-0 për Celtic, që ngjitet në kuotën e tre pikëve në grupin G të Europa Leagues, ndërsa Ferencvaros regjistron humbjen e tretë radhazi në po kaq ndeshje dhe mbetet në vendin e fundit me zero pikë.

Top Channel