Karim Benzema ka dhënë një intervistë për ESPN në të cilën komentoi mundësitë që ekzistojnë që ai të fitojë Topin e Artë, një nga ëndrrat e tij, sekretin për të qenë në formë kaq të mirë gjatë viteve dhe, natyrisht, “El Clasicon” e kësaj të diele.

Topi i Artë: “Ka qenë gjithmonë qëllimi im, e kam pasur gjithmonë në mendje. Kur Cristiano Ronaldo e fitoi atë në të kaluarën dhe e prezantoi në fushën e “Bernabeu”, natyrisht që isha i lumtur për të. Por, më pas, mendon: sigurisht, edhe unë dua ta fitoj. Mund të them se kurrë nuk kam qenë aq afër për atë që kam bërë këtu në tri ose katër vitet e fundit. Mund të them se nuk jam aq larg “.

“El Clasico”, pa Messin: “Për mua, gjithçka mbetet e njëjtë. Është akoma ndeshja më e mirë që ekziston në futboll. Lojtarët e pranishëm, të cilët u larguan ose që do të vijnë, nuk kanë rëndësi. Është histori. Para Cristianos dhe Messit, ishte Zinedine Zidane, ishte Ronaldinho, ishte Ronaldo “Fenomeni”, ishte Samuel Eto’o. Gjithçka ndryshon, por Real Madrid-Barcelona do të jetë gjithmonë Real Madrid-Barcelona, pa marrë parasysh lojtarët që marrin pjesë në të.”

Sekreti i formës fizike: “Fizikisht, ndihem mirë. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më mirë ndihem. Ka të bëjë kryesisht me përvojën, seriozitetin, profesionalizmin. Ka të bëjë vetëm me të mësuarit. Të mësosh, të shijosh të gjithë punën, jo vetëm fushën dhe futbollin. Ka të bëjë me punën në palestër, pushimin e mirë, ushqimin e mirë… ”

Stili i tij i lojës: “Në ditët e sotme, ne flasim shumë për statistikat. Ajo që bëj në fushë është ajo që dua. Pasimet, lëvizjet, veprimet, kontrolli i topit. Kam qëndrueshmëri, veçanërisht në ndeshjet më të rëndësishme. Kur ekipi im ka më shumë nevojë për mua, jam gjithmonë aty, duke ndihmuar. Kjo është ajo që më kënaq më shumë.”

Top Channel