Colin Powell, i pari afrikano-amerikan i emëruar sekretar shteti në SHBA, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare nga komplikacionet e Covid.
Ish oficeri ushtarak u vendos në krye të diplomacisë së vendit të tij në vitin 2000, kur president i Shteteve të Bashkuara ishte George W Bush.
“Ne humbëm një bashkëshort, një baba, një gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm dhe të dashur“, thuhet në deklaratën e familjes së tij.
Powell ka qenë një këshilltar ushtarak i besueshëm i një numri të madh të politikanëve kryesorë amerikanë.
Ai pati shërbyer në luftën e Vietnamit, një përvojë kjo që më vonë e ndihmoi në përcaktimin e strategjive të tij ushtarake dhe politike.
Ish-shef shtabi dhe ish-gjeneral, Powell, që i shërbeu katër presidentëve, krijoi reputacionin e një njeriu të ndershëm, që i largohej sherreve politike e shihej si një aset në korridoret e pushtetit.
Ai nuk arriti megjithatë ta kapërcente jehonën e fjalimit të vet shkurtin e viti 2003 në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë në Irak, ku provat që ai ofroi rezultuan më pas të pavërteta.
“Ajo ishte një njollë, që do të mbetet gjithmonë pjesë e të dhënave të mia; ishte e dhimbshme atëherë e mbetet e dhimbshme edhe tani”, u shpreh ai, në një intervistë për ABC në 2005-ën, ku rrëfeu pengun e vet të madh.
Top Channel