Vdekja e rusëve hetohet si vrasje në rrethana cilësuese/ Analizat e ISHP-së konfirmojnë sasinë e klorit në ujë

18/10/2021 15:30
Hoteli në Qerret, ku humbën jetën 4 turistët

Vdekja e katër turistëve rusë po hetohet për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.

Kjo e dhënë konfirmohet nga Prokuroria e Përgjithshme që e pyetur nga TCH se për çfarë vepre e ka referuar policia e Kavajës vdekjen e  bashkëshortëve Natalia dhe Sergei Burenkova të vajzës së tyre Ekaterina dhe të partnerit të saj Nikita u përgjigj ‘për vrasje’.

Pas një sërë ekspertizash, vendimtar do jetë rezultati i mjekësisë ligjore në Tiranë, që ka kryer autopsinë dhe do të japë një konfirmim mbi shkaqet e vdekjes.

Brenda një ore të turistëve, që hynë në jakuzin e hotelit në orën 20:20 të së premtes dhe në orën 21:20 u gjetën të vdekur. Ndërkaq ekspertiza e Institutit të Shëndetit Publik do t’i japë përgjigje grupit të hetimit nëse katër rusët u asfiksuan apo jo nga avujt e klorit, që ishte hedhur nga punonjësit për të pastruar ujin gjatë paradites të së premtes.

Nuk përjashtohet as ky version, këmbëngulën burimet pranë grupit të hetimit, që pavarësisht çdo dyshimi mbetën në pritje të rezultateve të mjekësisë ligjore që do të saktësojnë me prova dyshimet paraprake.

Rusët erdhën në shoqëri të dielën e kaluar dhe ditën e fundit të jetës kishin pushuar në Ohër se bashku me grupin, ndërsa teksa po ktheheshin rezervuan jakuzi ku qëndruan së bashku derisa i gjeti recepsionistja që është dëshmitarja kyçe në hetim.

Top Channel