Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal me bërjen e tamponëve në laboratorët privatë.
Emisioni investigativ faktoi me zë dhe figurë se një laborator privat në qytetin e Peqinit lëshon analiza NEGATIVE të Covid 19 pa e bërë fare! Madje, ky laborator kishte një marrëveshje me drejtuesit e burgut të Peqinit se të gjithë personat që donin të takonin të afërmit e tyre në burg duhet t’i kryenin analizat në këtë laborator. Madje, nuk lejohej as dokumenti shtetëror. Njihej vetëm dokumenti i privatit. Por, nuk përfundojnë këtu skandalet në këtë burg, pasi emisioni “Fiks Fare” faktoi edhe një skemë nepotizmi. Ardian Malkaj është doktori i burgut. Në të njëjtin institucion punon edhe gruaja e doktorit, Luiza Malkaj, e cila po ashtu është doktoreshë. Gjithashtu, në burg është edhe nipi i ardianit, që punon farmacist. Ndërkohë, vajza e xhaxhait e Ardianit është shefe kuzhine.
“Burrë e grua janë doktorë, nipi farmacist, goca e xhajës shefe kuzhine!”
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një i burgosur në Peqin, i njëjti që denoncoi në vitin 2019 një doktor që i kërkonte 2 mijë euro për të bërë operacionin. I burgosuri thotë se, edhe pse kanë kaluar dy vite nga ai denoncim, sërish nuk e ka zhvilluar operacionin, pasi në burg ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit. “Nga ajo ditë s’më kanë shërbyer asnjë lloj mase. Doktori thotë e di qeveria, qeveria thotë e di doktori. Jo e ka shefi i policisë, jo e ka drejtori. Të gjithë nuk më shërbejnë. U planifikua në Tiranë pas transmetimit tuaj në 2019-ën. Pas planifikimit na nxorën me argument pandeminë. Pas pandemisë më dërguan prapë në Tiranë dhe s’më kanë dhënë asnjë shërbim. Kërkoj doktorin përditë, shënoj emrin aty. Doktori s’më thërret” pohon i burgosuri. Më pas tregon se doktori shkon një herë në dy ditë. “Vajta e takova para dy ditësh, më tha unë të kam bërë 5 epikriza. Epikrizat e tua i ka shefi i policisë, ty nuk të çon qeveria më tha. Vetëm po qe duke vdekur më kërko mua, po deshe për operacionin mos më kërko më tha. Doktori bën letrat, bën lëvizjet. Kërkoj takim me drejtorin, s’na thërrasin. Kërkoj takim me drejtoreshën e përgjithshme, më thonë jo s’ka ardhur, jo s’është këtu, jo nuk është ajo! Ata s’më japin asnjë lloj shërbimi” vijon i burgosuri, teksa tregon edhe një skemë nepotizmi. “Këtu është bërë privat. Se doktori (Ardian Malkaj) vjen në punë megjithë gruan (Luiza Malkaj). Farmacistin e ka nip, shefen e kuzhinës e ka gocë xhaje. Janë të lidhur familjarisht tani, nuk e di ku çalon kjo punë!” përfundoi ai.
Pas denoncimit, gazetarët e Fiks Fare takojnë doktorin Ardian Malkaj, në Spitalin e Peqinit. Ai thotë se është doktor në atë burg, ndërsa pranon se po në të njëjtin institucion punon edhe bashkëshortja e tij, Luiza, si dhe nipi farmacist. Por, doktori i tregon gazetarëve të Fiksit edhe një skandal tjetër në atë institucion. Burgu i Peqinit nuk pranon tampon shtetëror për COVID 19, por kërkon tampon që kryhet në një laborator privat në qytetin e Peqinit. “Ato zakonisht i kanë kërku, i kan çuar privat. Jua kërkojnë, do shkosh ta bësh te privati është në afërsi të burgut. Dikur i ka bërë Luiza, tani burgu nuk i njeh” pohon doktori. Në lidhje me problemin shëndetësor të të burgosurit, mjeku thotë se “mjeku i parë nuk ekziston më, ka vdekur më duket. Ku di unë, s’po marr vesh, jam interesuar dhe ka bërë disa epikriza”.
Tampon negativ COVID-i pa e bërë fare
Gazetarët e Fiks Fare shkojnë në Burgun e Peqinit dhe interesohen për të hyrë në këtë institucion. Një gardian i thotë Fiksit se për t’u futur në burg duhet të bëhen analizat për COVID 19, por jo te shteti, por te një laborator privat që ndodhet në Peqin. “Nuk e bën më spitali, vetëm te privati. Laboratri është në hyrje të qytetit, në krah të majtë” thotë gardiani. Gazetarët shkojnë në këtë laborator, i cili e ka emrin “Fland Lab”. Punonjësja ithotë se tamponët e realizuar te privati nuk njihen në burg. “Nuk i pranojnë, nuk e di pse, po nuk i njohin. Kanë kohë që i kanë hequr të drejtën. Vetëm ne bëjmë tampone këtu” i thotë punonjësja, ndërsa tregon se një analizë e tillë kushton 25 mijë lekë të vjetra dhe del për 10 minuta.
Ndërkohë, shkojmë disa ditë më pas, për të bërë të gjitha procedurat për futjen në Burgun e Peqinit. Fillimisht, gazetarët bisedojnë me një tjetër punonjës të burgut, i cili thotë sërish se laboratori i vetëm i tamponëve është ai privat. Shkojmë sërish te laboratori dhe kërkojmë të bëjmë tampon Covidi për t’u futur në burg. I kërkojmë që mos ta bëjmë se e kemi bezdi. Punonjësja pranon kërkesën dhe i merr të dhënat gazetares së Fiks Fare. Pas vetëm 2 minutash qëndrimi në laboratorin privat, na jep përgjigjen “NEGATIVE”. Na thotë se, dikur bëheshin tamponë te privati, por tani s’ka dhe burgu i sjell në këtë laborator. Punonjësja thotë se mjeku është në Elbasan, por në përgjigjen që i jep gazetares së :Fiks fare” është edhe firma e mjekut.
Spitali i Peqinit, bisedë me mjekun Ardian Malkaj
Gazetarja – Ku mund ta takoj doktoresh Luizën?
Dr. Ardian Malkaj – Unë jam doktori, po pse?
Gazetarja – Doja t’ju pyesja, juve kush jeni?
Dr. Ardian Malkaj – Ardiani, i shoqi.
Gazetarja – Aa ti je i shoqi! Dëgjo unë dua të bëj një takim te burgu dhe më kanë thënë që gruaja jote bën tamponat.
Dr. Ardian Malkaj – Cilin të burgosur?
Gazetarja – … dhe doja të merrja leje të bëja kërkesën po më thanë që t’ju takoj ju njëherë, se ti je doktori i burgut.
Dr. Ardian Malkaj – Po unë jam.
Gazetarja – Dhe më thanë që gruaja jote bën këto tamponat për të hyrë te burgu.
Dr. Ardian Malkaj – Po zakonisht i bëjnë atje tamponët, te privati!
Gazetarja – I bëjnë atje!
Dr. Ardian Malkaj – Te privati, te privati.
Gazetarja – Ti e njeh …?
Dr. Ardian Malkaj – Si s’e njoh …
Gazetarja – Se ti doktor je aty.
Dr. Ardian Malkaj – Unë doktor i burgut jam, jemi…
Gazetarja – Po pra më tha. Madje më tha që keni edhe një nip ju, farmacist.
Dr. Ardian Malkaj – Po.
Gazetarja – Që mund ti marrim ilaçet edhe atje…
Dr. Ardian Malkaj – E ndihmojmë, po ai thotë do bëhet njëherë operim, do të heqë pjesët.
Gazetarja – Po, po, po.
Dr. Ardian Malkaj – Ai mjeku nuk ekziston më, ka vdekur më duket. Ku di unë, s’po marr vesh, jam interesuar më.
Gazetarja – Është bërë një çik problem dhe me gjyqet dhe me këto. Dhe doja ta takoja. Që ta di kur ta bëj, të bëj kërkesën para se të hyj, mos ta bëj para kohe tamponin më kupton.
Dr. Ardian Malkaj – Ato zakonisht dreqi i kanë kërku, i kan çuar privat domethënë këto. Jua kërkojnë, nuk e di, do shkosh ta bësh te privati.
Gazetarja – Po pse te privati?
Dr. Ardian Malkaj – Te privati, nuk e di!
Gazetarja – Se mua më thanë i bën Luiza tamponët.
Dr. Ardian Malkaj – Jo, jo i ka pas bërë.
Gazetarja – I bën këtu?
Dr. Ardian Malkaj – Mirë pra, te burgu tani mbulohen nga privati tani, s’ka lidhje me funksionet. Për takimet me…
Gazetarja – Po pra, për takimet nga jashtë. Po te kush privat t’i bëjmë?
Dr. Ardian Malkaj – Ti hera e parë që vjen?
Gazetarja – Hera e parë. Nuk kam qenë asnjëherë.
Dr. Ardian Malkaj – Ëëëëë.
Gazetarja – Dhe mua më duhet tamponi.
Dr. Ardian Malkaj – Tamponi bëhet në momentin që do futesh.
Gazetarja – Po pra, do bëj rapid test apo PCR, çfarë do bëj?
Dr. Ardian Malkaj – Jo, jo direkt rapid test.
Gazetarja – Ai për 15 minuta?
Dr. Ardian Malkaj – Ai.
Gazetarja – Po nëqoftëse Luiza nuk i bën aty te burgu, ku t’i bëj unë?
Dr. Ardian Malkaj – Te privati, këtu para se me shku te burgu. Është përpara aty. Kur të vish hajde më tako mua ose Luizën këtu. Tani s’po na ecën me atë (të burgosurin), i kam bërë epikriza, me ndihmu, me e bë…
Gazetarja – Nëqoftëse do t’i duhet ndonjë ilaç, ndonjë, gjë për ashtu…
Dr. Ardian Malkaj – Po, po, po do më thuash mua. Ne të dy burrë e grua jemi (dr në burg), qofsh unë, qofsh Luiza
Burgu i Peqinit, dita e parë
Gazetarja – Si je, si kalove?
Polici – Mirë.
Gazetarja – Desha të të pyes, për të bërë tamponin për takim ku bëhet?
Polici – Vetëm në Peqin te privati është shtrenjtë.
Gazetarja – Vetëm te privati?
Polici – Po po po
Gazetarja – Vetëm te privati? Nuk e bën më te spitali te shteti?
Polici – Nuk e bën më spitali.
Gazetarja – Po privat kush? Ky këtu?
Polici – Ai aty kur ngjitesh majtas.
Gazetarja – Ky këtu
Polici – Bëj një tampon të shpejtë se e bëjnë më lirë.
Gazetarja – Po pra atë rapid – testin
Polici – Eee
Gazetarja – Te ky, po sa i bën apo nuk e di?
Polici – Nuk e di.
Gazetarja – Po veç te ky?
Polici – Nuk ka tjetër.
Gazetarja – Po pse e kanë heq atë te spitali?
Polici – Nuk e di.
Gazetarja – Janë lidhur, është lidhur shteti me këtë, vetëm për të na marrë ne lekët.
Polici – Ça të them.
Gazetarja – Jo mor jo unë thjesht desha si informacion që ta kem të saktë mos ta bëj kot ….
Polici – Vetëm te ai aty i njeh.
Gazetarja – Se është ideja mos ta bëj kot edhe të më digjet dhe mos të ma pranojnë. Më kupton?
Polici – Takim a ke bërë?
Gazetarja –Nuk kam bërë jo, prandaj.
Polici – Shko bëjë dhe hajde.
Gazetarja – Rrofsh
Laboratori privat “Fland Lab”, dita e parë
Gazetarja – Kam për të bërë një takim këtu te burgu dhe më thanë, që vetëm juve i bëni tamponat për aty?
Laborantja – Po po, tamponat e shpejtë.
Gazetarja – Atë rapidin?
Laborantatja – Po po
Gazetarja – Për sa minuta?
Laborantja – Për 10 minuta e ke gati.
Gazetarja – Sa kushton? Nuk do ta bëj sot, se do ta prenotoj njëherë dhe më thanë të shkoj të pyes njëherë se më thanë që vetëm këtu i pranojnë.
Laborantja – Po po
Gazetarja – Se më kishin thënë që i bëjnë tek spitali, që i bën ajo gruaja e atij doktorit të burgut tamponat aty.
Laborantja – Ardianit?
Gazetarja – Ardiani, po .
Laborantja – Po nuk i pranojnë . Nuk e di pse, po nuk i njohin.
Gazetarja – Se mua më thanë që Luiza, gruaja ….
Laborantja –Kanë kohë që i kanë hequr të drejtën.
Gazetarja – Për ti pranuar
Laborantja – Për ti pranuar .
Gazetarja – Kështuqë vetëm me tampionin këtu>
Laborantja – Po
Gazetarja – Do shihemi shpesh ka mundësi.
Laborantja – Ishalla sa më shpejt të dali.
Burgu i Peqinit, dita e dytë
Gazetarja – Për të bërë një takim duhet të regjistrohem?
Polici – Po
Gazetarja – Tani?
Polici – Po
Gazetarja – Ça më duhet të bëj?
Polici – Kartën a e ke, kartën e identitetit?
Gazetarja – Po, po tampon ose kshu apo …?
Polici – Se di….
Gazetarja – Do pyesësh pak? Që ta dij nëqoftëse duhet edhe ku mund ta bëj këtu afër.
Polici – Kartën e vaksinimit a e ke me vete?
Gazetarja – Jo nuk e kam se nuk jam vaksinuar.
Polici – Duhet të bësh tamponin.
Gazetarja – Po ku ta bëj tamponin?
Polici – Në qendër të qytetit.
Gazetarja – Nuk e ke idenë ku ka ndonjë laborator këtu afër?
Polici – Do ikësh drejtë dhe e ke .
Gazetarja –Si e ka?
Polici – Fland Lab
Gazetarja –Është i vetmi laborator që i bën apo i vetmi që e pranojnë këta?
Polici – E ke më afër po flas .
Gazetarja – Ëëë nuk e ke idenë? Dmth të shkoj të bëj njëherë tamponin pastaj të vij.
Laboratori privat “Fland Lab”, dita e dytë
Gazetarja – Si kalove? Ta bëj pak tamponin?Se më duhet që të hyj këtu te burgu.
Laborantja – Kartë ose pasaportë.
Gazetarja – Ja të të jap kartën, se nuk të lejnë këta pa tampon.
Laborantja – Para jush ishte një zonjë tjetër dhe ajo për tampon. Nuk i kanë hequr akoma.
Gazetarja – Jo, pa atë nuk të lenin ata. E çuditshme. E pashë që kishte shumë takime sot.
Laborantja – Nuk i lejojnë pa tampon.
Gazetarja – Po vetëm këtu i bëjnë këto të burgut ëëëë?
Laborantja – Po kanë qenë bërë te shteti po…..
Gazetarja – E kam shumë bezdi ..
Laborantja – Veç pak
Gazetarja – Mos ma bëj fare, ma shkruaj aty se nuk më plasi
Laborantja – Po do deklarohen.
Gazetarja – Po deklaroje aty Negativ se e kam shumë bezdi, zeje se e bëra. Aman se ça po më duhet. Se e kam shumë siklet, nuk e duroj dot më vjen për të vjellë. Do na detyrojnë tani në çdo takim, të bëjmë tamponin këtu. A nuk ka laborator tjetër?
Laborantja – Jo
Gazetarja –Vetëm ju jeni këtu privat?
Laborator – Nuk e bëni dot andej nga zona juaj?
Gazetarja –Po mua më thanë që vetëm këtë tamponin tuaj këtu…. të mora pak dezinfektues. Vetëm me tamponin këtu të pranojnë te burgu. Mua më patën thënë që më parë bëheshin tamponët te spitali.
Laborantja – Po te shteti pa lekë.
Gazetarja – Pa lekë për tu futur te burgu. Kurse tani e kanë bërë me detyrim vetëm me këtë. Sikur ka bërë marrëveshje burgu me këtë laboratorin.
Laborantja – Jo, ta siguroj unë. Po nuk e di pse e kanë ndryshuar ndoshta se kanë mungesë të testeve edhe nuk i mbulon edhe nuk mbulojnë dot zonën. Jemi ne këtu psh nuk mbulojmë dot pjesëtarët e zonës së vet.
Gazetarja –Spitali po thua ti?
Laborantja – Po po spitali.
Gazetarja –Dhe e kanë kaluar që ta bëj burgu këtu.
Laborantja – Po. F….. M…
Gazetarja – Po. Kartën?
Laborantja –Ja ku e ke negativ.
Gazetarja –Ok. Sa bën kjo tani?
Laborantja – Njëzet e pesë ( 2500 ) lekë.
Gazetarja – Na zemër, se do shihemi tani, nuk e di sa herë do na bjerë që të shihemi për këtë. Sa herë do na duhet.
Laborantja – Besoj do kesh një ulje nga doktori
Gazetarja –Kush është doktori?
Laborantja – Quhet Mustafa, por që për momentin nuk është këtu ka lëvizur tek laboratori tjetër në Elbasan.
Gazetarja – A ka laboratorin në Elbasan? Tani na duhet ne që ta bëjmë, por duhet me fol me doktorin me i thënë.
Laborantja –Do ti them unë.
Gazetarja – Që të na bëj skonto se unë do vij 100 herë këtu dhe do më duhet. Rrofsh, shumë faleminderit.
Top Channel