Kur bëhet fjalë për shëndetin dhe funksionet e trupit, vitamina A luan një rol mjaft të rëndësishëm. Vitamina A ndihmon me shikimin, sistemin imunitar, riprodhimin, metabolizmin, si edhe funksionimin e zemrës, mushkërive, veshkave dhe trurit. Por roli i saj nuk ndalet këtu! Kjo vitaminë ka edhe veti antioksiduese, të cilat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave.
Ju mund ta merrni atë nga ushqime si spinaqi dhe perimet e tjera me gjethe jeshile, qumështi, djathi, e verdha e vezës, mëlçia e viçit, brokoli, kungulli, karrota, pjepëri, mango dhe kajstë. Ekspertët këshillojnë që të bëhet kujdes me marrjen e kësaj vitamine me anë të suplementeve. Kjo pasi doza të larta të saj mund të shkaktojnë shqetësime në organizëm si të vjella dhe marramendje.
Gjithashtu marrja e saj për një periudhë afatgjatë, mund të sjellë simptoma si acarim të lëkurës, dhimbje në nyje dhe kocka, dëmtim të mëlçisë e shumë të tjera. Edhe pse mungesa e vitaminës A është mjaft e rrallë, ju ftojmë të njiheni me disa nga simptomat që mund të jenë shenjë e mungesës së saj në organizëm.
Sy të thatë
Sytë janë të mbuluar me një shtresë lëngu, i cili ndihmon në mbrojtjen dhe lubrifikimin e tyre, duke mbajtur gjithashtu sipërfaqen e syve të pastër. Dhe sytë e thatë mund të jenë një nga shenjat e para të mungesës së vitaminës A.
Problemet me shërimin e plagëve
Vitamina A është një komponent i rëndësishëm për shërimin e plagëve. Një arsye është se vitamina A luan një rol në zbutjen e përgjigjes inflamatore të trupit dhe mund të ndihmojë në kontrollin e inflamacionit të tepërt. Pa sasinë e mjaftueshme në organizëm, trupi nuk do të shërohet siç duhet.
Rritje e infeksioneve
Vitamina A mendohet të ketë një efekt mbrojtës kundër inflamacionit që vjen së bashku me patogjenët invazivë si ftohjet dhe infeksionet. Prandaj ekspertët mendojnë se mungesa e vitaminës A mund të shoqërohet me infeksione të fytit, traktit të frymëmarrjes dhe gjoksit.
Lëkurë e thatë
Mungesa e vitaminës A nuk mund të jetë shkaktari i vetëm i lëkurës së thatë, por ajo mund të luajë një rol në këtë shqetësm. Kur shikoni përbërësit në produktet e kujdesit të lëkurës, retinoli është një përbërës mjaft i zakonshëm. Rezulton se retinoli në të vërtetë rrjedh nga vitamina A dhe i jep lëkurës shumë përfitime, si zvogëlimi i rrudhave dhe zbutjen e lëkurës. Sipas kësaj lidhjeje, ekspertët mendojnë se mungesa e vitaminës A mund të luajë një rol në problemet e lëkurës.
Problemet me fertilitetin
Vitamina A luan një rol të rëndësishëm në proceset riprodhuese dhe disa kërkime tregojnë se mungesa e saj mund të shoqërohet me infertilitet. Megjithëatë nevojiten ende kërkime të mëtejshme në këtë fushë. Por në fund të fundit më e rëndësishmja është të mbani mend se shenjat dhe simptomat e përmendura më lart mund të lindin për shumë arsye të ndryshme. Dhe nëse keni ndonjë shqetësim në lidhje me mungesën e vitaminës A ose të ndonjë lënde tjetër ushqyese, drejtohuni tek mjeku juaj për të marrë ndihmë të specializuar./AgroWeb
Top Channel