Shtetet e Bashkuara vendosën të caktojnë ambasador të ri të tyre në Serbi një emër shumë të njohur të diplomacisë amerikane, një peshë të rëndë të saj siç njihet ndryshe Christopher Hill dhe një njeri që konsiderohet “mik i shqiptarëve”.

Një njohës i shkëlqyer i rajonit të Ballkanit, Hill konsiderohet një nga diplomatët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vitet 1998-1999 Hill ishte i dërguar i posaçëm i SHBA-së në Kosovë dhe mbahet në mend për angazhimin e tij në ndërmjetësimin diplomatik midis forcave të atëhershme politike e ushtarake të Kosovës dhe Beogradit.

Ai ka shërbyer për një kohë të shkurtër edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, ndërsa gjatë administratës së George W Bush, ai u emërua si ndihmës sekretar shteti për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Zëvendësi i Richard Holbrookut, negociatorit kryesor amerikan gjatë bisedimeve në Dejton, të cilat i dhanë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitet 1990, ka qenë edhe i dërguar i posaçëm i SHBA-së në Kosovë.

Hill zëvendëson Anthony Godfreyn, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në Beograd qysh në nëntor të vitit 2019.

Mediat serbe e raportuan me një lloj shqetësimi caktimin e tij. Ai ishte tërhequr dhe jepte leksione në një universitet në SHBA si pedagog i jashtëm, por fakti që është thirrur përsëri bën të mendohet se Washingtoni po i jep peshë çështjes së Kosovës dhe për këtë, u kërkua dikush që e njeh situatën më mirë se të tjerët.

Top Channel