Të ardhurat, 483 mln euro më shumë/ Rritjen më të lartë, kontributet shoqërore dhe taksat e punës

14/10/2021 15:15

Ekonomia shqiptare po rimëkëmbet më shpejtësi këtë vit, pasi të ardhurat në buxhetin e shtetin vijojnë të reflektojnë një situatë pozitive me rritje të fortë të tyre.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë së për 9-mujorin e këtij viti në arkën e shtetit kanë hyrë në total 367 miliardë lekë, rreth 58.8 miliardë lekë apo rreth 483 milionë euro më shumë se një vit më parë, kur ky zë u godit fort si pasojë e pandemisë.

Ecuria e mirë e të ardhurave është ndikuar pothuajse nga të gjitha zërat, ku rritjen më të madhe e ka shënuar TVSH-ja apo taksa e konsumit mbi mallra e shërbime 18.3 miliardë lekë më shumë, çka sinjalizon edhe një gjallërim të konsumit të munguar në vend me hapjen totale të ekonomisë.

Në buxhet janë grumbulluar më shumë të ardhura edhe nga kontributet shoqërore e shëndetësore me rreth 7.7 miliardë lekë më shumë, teksa janë rritur edhe arkëtimet nga taksat e tjera të punës.

Efekti në zgjerimin e fortë të tyre lidhet me taksat mbi deklaratën vjetore të të ardhurave që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm duke i dhënë shtetit mundësinë të arkëtojë më shumë para edhe si rrjedhojë e përfshirjes në këtë detyrim edhe të dypunësuarve.

Edhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë reflektuar një ecuri më të mirë së bashku me taksat nacionale, ku peshën më të madhe gati gjysmën e saj e zë taksa e qarkullimit që rëndon edhe mbi karburantet.

Rritja e volumit në import të këtyre të fundit, cigareve kryesisht apo edhe makinave të përdorura ka sjellë edhe një shtim të të ardhurave nga akciza për 9-mujorin duke e çuar totalin e tyre në 37.9 miliardë lekë.

Ndërsa financat kanë lëshuar dorën në kahun e shpenzimeve publike që për 9-mujorin panë një rritje të madhe me gati 35.4 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Top Channel