Takimi Blinken-Borrel, vlerësohet parneriteti BE-SHBA

14/10/2021 21:58

Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken u takua të enjten në Uashington me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme e Çështje të Sigurisë, e njëkohësisht Nënpresident i Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Në njoftimin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit thuhej se sekretari Blinken ripohoi rëndësinë e partneritetit SHBA-BE dhe angazhimin e Uashingtonit për të punuar me Brukselin për t’u përballur me sfidat e përbashkëta. Sekretari Blinken dhe zoti Borrell diskutuan rreth zhvillimeve në Afganistan, çështjen e nisjes së dialogut të nivelit të lartë SHBA-BE mbi Rusinë, si dhe takimin e ardhshëm të nivelit të lartë SHBA-BE mbi Kinën, që pritet të mbahet më vonë gjatë këtij viti.

Në njoftimin për shtyp të Departamentit të Shtetit thuhet se zoti Blinken vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit. Ai theksoi gjithashtu nevojën për të bërë përpara me hapjen e negociatave për pranimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kur bëhet fjalë për të gjitha sfidat me të cilat përballemi në të gjithë botën, Bashkimi Evropian është një partner kryesor i Shteteve të Bashkuara dhe praktikisht nuk ka asnjë sfidë me të cilën ne përballemi dhe nuk po punojmë së bashku për të”, tha zoti Blinken.

Zoti Borrell u bëri jehonë komenteve të diplomatit të lartë amerikan. Ai tha se “ne (Bashkimi Evropian) duket të jemi partneri më i mirë dhe aleati më i mirë i SHBA-së, dhe marrëdhënia transatlantike është marrëdhënia më e rëndësishme që kemi me pjesën tjetër të botës”.

Zoti Borrell e cilësoi takimin një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit, veçanërisht sikurse ai tha, në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Sekretari Blinken dhe Përfaqësuesi i Lartë nënvizuan gjithashtu mbështetjen e tyre të fortë në përpjekjet për të rivendosur rendin demokratik në Venezuelë./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA