Policia ka dhënë detaje për plagosjen e dy të rinjve tek ish Parku i Autobusëve dhe ka vënë në pranga dy autorët, ndërsa i treti prej tyre ka arritur t’i shpëtojë forcave blu dhe është shpallur në kërkim.
Të tre ishin me precedent të mëparshëm penal, ndërsa i shpalluri në kërkim kishte thyer edhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Policia ka arrestuar edhe njërin prej të plagosurve, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Ditën e djeshme, rreth orës 17:00, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, autorët dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. N., 28 vjeç dhe Xh. V., 26 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur në ngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit:
F.P., 27 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
D.M., 27 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.
Si dhe u shpall në kërkim si autor i tretë i dyshuar i ngjarjes, shtetasi I. Xh., 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentative”, njoftoi policia.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe shtetasve të plagosur. Në vijim të veprimeve, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. N., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel